Shqiptarët e Luginës së Preshevës të dielën do t’u drejtohen kutive të votimit në zgjedhjet parlamentare në Serbi, këtë herë duke garuar me një listë të përbashkët. Kandidatët për deputetë kanë bërë thirrje për mobilizim, duke kërkuar që bashkimi politik të kthehet në votë dhe vota në përfaqësim më të fuqishëm parlamentar.
Gjatë ditëve të fushatës, kandidatët e Koalicionit Shqiptar kanë theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së qytetarëve në zgjedhje, duke u bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që të mbështesin listën e përbashkët me numrin 17.
Sipas tyre, bashkimi i partive politike shqiptare përbën një mundësi për të fuqizuar zërin e shqiptarëve në institucionet e Serbisë dhe për të adresuar kërkesat e tyre për dinjitet, barazi dhe respektim të të drejtave.
Me moton “Për dinjitet, barazi dhe një zë që nuk hesht përballë padrejtësisë”, kandidatët kanë kërkuar që qytetarët të angazhohen dhe të mobilizohen për ditën e zgjedhjeve.
Ata kanë vlerësuar se secila votë ka rëndësi dhe se pjesëmarrja e qytetarëve është përgjegjësi e përbashkët për të ardhmen e përfaqësimit shqiptar në Kuvendin e Serbisë.
Në këtë kuadër, kandidatët kanë bërë thirrje edhe për bashkëvendasit që jetojnë dhe punojnë në Kosovë, që të marrin pjesë në votime dhe të kontribuojnë në rritjen e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Luginës.
“Të angazhohemi, të mobilizohemi dhe të dalim të gjithë në votim”, është mesazhi i kandidatëve të Koalicionit Shqiptar në prag të zgjedhjeve.
Ata kanë kërkuar që mobilizimi i ditëve të fundit të fushatës të konkretizohet me pjesëmarrje masive në votime, duke synuar që bashkimi politik të përkthehet në më shumë mandate dhe një zë më të fuqishëm në institucionet serbe.
Thirrja e tyre për ditën e zgjedhjeve është: të bashkuar për numrin 17.
Vendvotimet të dielën do të jenë të hapura nga ora 07:00 deri në orën 20:00. Të drejtë vote kanë 6.450.523 qytetarë, ndërsa votimi do të organizohet në gjithsej 8.392 vendvotime, prej të cilave 93 jashtë vendit, në 37 shtete.
Gjatë heshtjes zgjedhore, e cila fillon sonte në mesnatë, ndalohet prezantimi i kandidatëve dhe programeve të tyre në media dhe tubime publike, thirrja e votuesve për të votuar pro ose kundër një liste të caktuar, si dhe publikimi i vlerësimeve për rezultatet zgjedhore.
Heshtja zgjedhore përfundon të dielën, më 25 tetor, në orën 20:00, me mbylljen e vendvotimeve.
Burimi: RTKLive
