
Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë me nivelet më të larta të administratës së presidentit amerikan, Donald Trump, përbën rrezik serioz për sigurinë kombëtare dhe interesat strategjike të Kosovës.
Përmes një deklarate, Osmani ka theksuar se marrëdhënia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk është thjesht çështje protokolli, por një element thelbësor për sigurinë e vendit.
“Mungesa e komunikimit të drejtpërdrejtë, përmbajtësor dhe strategjik me nivelet më të larta të Administratës Trump: Presidentin Trump, Sekretarin Rubio dhe kabinetin politik të Presidentit, përbën një rrezik serioz për sigurinë tonë kombëtare dhe interesat tona strategjike”, ka deklaruar Osmani.
Ajo ka vlerësuar se mungesa e këtij komunikimi i krijon më shumë hapësirë Serbisë për të shtyrë përpara, sipas saj, narrativa të rreme kundër Kosovës.
Ish-presidentja ka nënvizuar se Kosova nuk mund ta trajtojë si çështje dytësore marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara, të cilat i ka cilësuar si aleat jetik.
“Pa një partneritet të fortë politik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, as integrimi ynë euroatlantik, as mbrojtja e së vërtetës historike për luftën çlirimtare, as mbrojtja e sovranitetit dhe shtetësisë sonë nuk mund të garantohen me sigurinë dhe qëndrueshmërinë që kërkojnë interesat tona kombëtare”, ka shkruar Osmani.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali