Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se PD-ja do të jetë e pranishme në çdo protestë kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.
Berisha theksoi se PD do të mbështesë protestat studentore dhe do të jetë e pranishme përmes anëtarëve të Forumit Rinor, drejtuesve dhe deputetëve të saj.
Ai shtoi se anëtarët e Forumit Rinor të PD-së nga universitetet dhe shkollat e larta kanë marrë pjesë në protestë që prej fillimit dhe do të vijojnë të jenë pjesë e saj.
Berisha gjithashtu u bëri thirrje shqiptarëve që të marrin pjesë në protestën kombëtare të thirrur nga PD nesër, në mbështetje të studentëve që po protestojnë në Tiranë.
“Nesër është thirrur protestë kombëtare e PD në mbështetje të studentëve dhe unë edhe një herë i them Edi Ramës: hiq dorë nga dhuna ndaj studentëve, sepse në mënyrë absolute vendosmëria jonë është mbrojtja e tyre me të gjitha mjetet në rast nevoje”, tha Berisha.
“Dhuna me studentët nuk do të tolerohet jo vetëm nga të afërmit e tyre, por nga asnjë qytetar shqiptar. Ndaj dhe nesër të gjithë qytetarët shqiptarë, të gjithë demokratet e demokratët do lënë çdo gjë, do vërshojnë drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për t’i dhënë mësimin e duhur Edi Ramës: mos prek studentët! Studentët po sakrifikojnë me një guxim të paparë në rrugët dhe sheshet e Tiranës për çdo shqiptar”, deklaroi Berisha.
Burimi: RTKLive
