Dita e 12-të e protestës së studentëve në Tiranë, Rama fton për dialog

Dita e 12-të e protestës së studentëve në Tiranë, Rama fton për dialog

Written by

in

Mediet në Shqipëri kanë raportuar se protesta ka marrë mbështetjen e pedagogëve, mjekëve dhe Sindikatës së Pavarur të Artit, Kulturës dhe Medias së Shqipërisë, e cila ka ftuar anëtarët e saj, artistët dhe punonjësit e kulturës e medias të mblidhen në orën 11:00 përpara Kryeministrisë.

Pedagogët pritet të mblidhen në orën 10:00 pranë Universitetit Politeknik, ndërsa në orën 12:00, Partia Demokratike u ka bërë thirrje aktivistëve dhe forumeve të saj të dalin në mbështetje të protestës së studentëve. Në orën 14:00 është paralajmëruar bashkimi i grupeve të studentëve në tubimin përpara Kryeministrisë.

Ndërkohë, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë sërish thirrje për dialog me studentët.

Rama ka publikuar në rrjetet sociale një video ku shihet një tavolinë e improvizuar me jastëkë përpara Kryeministrisë, ku ka vendosur edhe letrat me fjalën „dialog”.

„Mirëmëngjes”, ka shkruar Rama krahas videos së publikuar të shtunën në Facebook. Kjo është një tjetër përpjekje e Ramës për t’i ftuar studentët në dialog, pasi ditët e fundit ata kanë refuzuar karriget dhe blloqet e betonit të vendosura përpara Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e tij.

Sipas raportimeve të medieve shqiptare, protestuesit kanë paralajmëruar vazhdimin e protestës, ndërsa ditët e fundit tubimi është zhvilluar në mënyrë paqësore.

Burimi: RTKLive