Rama: Protestat e dhunshme synojnë destabilizimin e Shqipërisë

Rama: Protestat e dhunshme synojnë destabilizimin e Shqipërisë

Written by

in

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar se pas akteve të dhunshme gjatë protestave qëndron një axhendë për destabilizimin e vendit dhe devijimin e rrugës së tij drejt së ardhmes.

Rama i bëri këto deklarata gjatë një konference të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Ervin Demo.

Ai tha se në protesta është përfshirë një grup personash me qëllim destabilizimin e vendit.

“Një listë domethënëse, përfaqësuese e një komponenti dhunues protestues që është integruar në këtë masë të larmishme personash me një qëllim shumë të qartë: destabilizimi i vendit dhe devijimi i rrugës sonë duke na kthyer mbrapsht në të shkuarën”, deklaroi Rama.

Ai pretendoi se pas personave të përfshirë në dhunë qëndrojnë krimi i organizuar dhe ndikime të huaja.

“Natyrisht që pas atyre personave qëndrojnë krimi i organizuar, si dhe duar të huaja. Por ajo që më bëri më shumë përshtypje ishte përsëri reagimi i ekraneve të korruptuara ndaj një liste e cila minimalisht duhet t’i bënte të gjithë të reflektonin mbi mosdistancimin nga dhuna”, u shpreh Rama.

Kryeministri shqiptar theksoi se qeveria është e vëmendshme ndaj problemeve dhe arsyeve që i shtyjnë qytetarët të protestojnë, por bëri dallimin mes kërkesave të tyre dhe përdorimit të dhunës.

“Gjuhës së gurit, gjuhës së hurit, gjuhës së zjarrit, gjuhës së urrejtjes, gjuhës së ofendimeve dhe të kërcënimeve… nuk mund të fitojë një status qytetarie nëse ne duam një të nesërme të sigurtë për këtë vend dhe për fëmijët tanë”, deklaroi Rama. / Burimi: RTSH

Burimi: RTKLive