
Dhjetë modele të ushqyerjes së shëndetshme lidhen me plakje biologjike më të ngadaltë, sipas një studimi të Qendrës Gjermane për Sëmundjet Neurodegjenerative (DZNE).
Studimi, i cili analizoi të dhënat e rreth 7,500 personave, shqyrtoi dhjetë modele të ndryshme të ushqyerjes, përfshirë dietën mesdhetare, atë nordike, dietat me bazë bimore, DASH-in, që synon kontrollin e tensionit të gjakut, si dhe dietën MIND, e cila lidhet me shëndetin e trurit.
Për të vlerësuar plakjen biologjike, studiuesit analizuan ndryshimet kimike në ADN, të njohura si metilim, duke përdorur tri modele për matjen e plakjes epigjenetike.
Rezultatet treguan se personat që ndiqnin më shumë rekomandimet e ushqyerjes së shëndetshme kishin shenja të plakjes biologjike më të ngadaltë. Megjithatë, dallimet mes modeleve të ndryshme ushqimore ishin të vogla.
Sipas studiuesve, më shumë se 70 për qind e proceseve biologjike të lidhura me ushqyerjen ishin të përbashkëta për të gjitha modelet e analizuara.
Disa lidhje më specifike u vunë re te dieta DASH, për proceset që lidhen me shëndetin e zemrës, dhe te dieta MIND, për proceset që lidhen me kujtesën dhe aftësitë e të menduarit.
Një tjetër gjetje ishte se lidhja mes ushqyerjes së shëndetshme dhe plakjes më të ngadaltë ishte më e theksuar te duhanpirësit. Studiuesit dyshojnë se kjo mund të lidhet me dëmet biologjike që shkakton duhani, megjithëse mekanizmi i saktë mbetet i paqartë.
Autorët theksojnë se nuk ekziston vetëm një mënyrë e duhur e të ushqyerit dhe se nuk është e domosdoshme të ndiqet një dietë e përsosur për të përfituar nga zakonet e shëndetshme ushqimore.
Megjithatë, studimi tregon një lidhje mes ushqyerjes dhe shënuesve molekularë të plakjes, por nuk dëshmon se dieta është drejtpërdrejt shkaku i plakjes më të ngadaltë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali