Në një postim në Facebook, Kurti ka thënë se shqiptarët e këtyre komunave kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje me mundësi të barabarta, duke theksuar se diskriminimi dhe përjashtimi kërkojnë përgjigje demokratike përmes pjesëmarrjes në zgjedhje.
“Shqiptarët e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës kanë të drejtë ta ndërtojnë jetën në vendlindje, me mundësi të barabarta”, ka shkruar Kurti.
Ai ka bërë thirrje edhe për bashkatdhetarët që ndodhen në Kosovë dhe kanë të drejtë vote në këto komuna, që të udhëtojnë drejt vendlindjes për të votuar.
“Sikurse, u bëj thirrje bashkëkombësve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, të përfshihen aktivisht e të dalin secili e secila për të votuar dhe të mbështesin numrin 17, ‘Koalicionin Shqiptar’”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar rëndësinë e votës për përfaqësimin politik dhe të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
“Fletëvotimi peshon pak në dorë, por vendimi peshon mbi të ardhmen”, ka përfunduar Kurti.
Burimi: RTKLive
