Çmimet e produkteve ushqimore ndryshojnë ndjeshëm në të gjithë Evropën. Buka mund të kushtojë më shumë se tri herë në një shtet krahasuar me një tjetër. Euronews Business ka analizuar më nga afër këto dallime dhe faktorët që ndikojnë në to.
Ushqimi zë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit familjar në të gjithë Evropën, por kostoja e mbushjes së një shporte me produkte ushqimore ndryshon shumë nga një shtet në tjetrin.
Në Bashkimin Evropian, ushqimi dhe pijet joalkoolike përbëjnë 13.6 për qind të shpenzimeve familjare, krahasuar me 23.6 për qind që shpenzohen për banimin dhe faturat e shërbimeve komunale, sipas Eurostatit.
Cilat shtete janë më të shtrenjtat për blerjen e produkteve ushqimore dhe çfarë i shkakton këto dallime?
Sipas të dhënave të mesit të vitit 2026 nga Numbeo, një platformë që mbledh të dhëna për koston e jetesës, indeksi i çmimeve të produkteve ushqimore ndryshon nga 57.2 në Moldavi deri në 189.2 në Zvicër, ndërsa mesatarja e BE-së është vendosur në 100.
Kjo do të thotë se produktet ushqimore janë 89.2 për qind më të shtrenjta se mesatarja e BE-së në Zvicër, ndërsa në Moldavi janë 42.8 për qind më të lira.
Për ta ilustruar këtë dallim, një shportë që kushton 100 euro me çmimet mesatare të BE-së do të kushtonte 189.20 euro në Zvicër dhe 57.20 euro në Moldavi, bazuar në këtë indeks.
Indeksi i Numbeo-s e merr Nju-Jorkun si pikë referimi me vlerën 100. Euronews Business e ka përshtatur indeksin duke e vendosur mesataren e BE-së në 100.
Cilat janë shtetet më të shtrenjta?
Tri nga pesë shtetet me çmimet më të larta janë vende nordike. Islanda (183.6) renditet e dyta, e ndjekur nga Norvegjia (154.4), Luksemburgu (134.9) dhe Danimarka (128.4).
Edhe shtetet e tjera nordike janë mbi mesataren e BE-së: Finlanda me 119.7 dhe Suedia me 116.6.
Në mesin e pesë ekonomive kryesore të Evropës, Franca është shteti më i shtrenjtë për produktet ushqimore, me çmime 27.5 për qind mbi mesataren e BE-së.
Spanja (89.7) është i vetmi shtet në këtë grup ku çmimet janë nën mesataren evropiane. Mbretëria e Bashkuar (111.9), Gjermania (111.6) dhe Italia (110.2) janë mbi këtë mesatare, me nivele të ngjashme çmimesh.
Edhe Austria (124.5), Irlanda (122), Belgjika (117.6) dhe Holanda (116.4) bëjnë pjesë në mesin e shteteve më të shtrenjta, të gjitha me çmime mbi mesataren e BE-së.
Shteti më i lirë në BE: Produktet ushqimore në Rumani kushtojnë një të tretën më pak
Brenda Bashkimit Evropian, Rumania (66.7) është shteti më i lirë për blerjen e produkteve ushqimore, me çmime 33.3 për qind nën mesataren e BE-së.
Në përgjithësi, produktet ushqimore janë më të lira në shtetet e Evropës Lindore dhe në Ballkan, përfshirë edhe vendet kandidate për anëtarësim në BE.
Për shembull, Kosova ka indeks prej 60.6 gjersa 59.8 është në Maqedoninë e Veriut, 67.9 në Bosnjë e Hercegovinë dhe 68.8 në Serbi.
Turqia (82.1) është më e shtrenjtë se disa shtete anëtare të BE-së, megjithëse mbetet nën mesataren e bllokut. Turqia gjithashtu ka inflacionin më të lartë të çmimeve të ushqimeve në Evropë.
Çmimet më të ulëta nuk nënkuptojnë se produktet janë më të përballueshme
Ilaria Benedetti, profesoreshë e asociuar në Universitetin e Tuscias, theksoi se në disa shtete çmimet e ushqimeve janë nën mesataren e BE-së, por familjet shpenzojnë një pjesë më të madhe të buxhetit të tyre për ushqim.
Për shembull, produktet ushqimore janë më të lira në Rumani, por familjet atje shpenzojnë 23.1 për qind të buxhetit për ushqim dhe pije joalkoolike. Kjo përqindje është mbi 20 për qind edhe në Bullgari.
“Çmimet më të ulëta nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht se produktet janë më të përballueshme”, tha për Euronews Business profesori Jeremiás Máté Balogh nga Universiteti Corvinus.
Duke iu referuar dallimeve në paga dhe fuqinë blerëse, ai theksoi se produktet ushqimore mund të jenë më të lira në vlerë absolute, por më pak të përballueshme në raport me të ardhurat që njerëzit marrin pas taksave.
Një shportë me 18 produkte ushqimore kushton 69.84 euro në BE
Numbeo përfshin 19 artikuj në kategorinë e produkteve që shiten në markete. Euronews Business ka mbledhur çmimet e këtyre produkteve në tetor të vitit 2026.
Duke mbledhur çmimet e 18 produkteve, ku secili llogaritet vetëm një herë dhe pa u peshuar sipas ndonjë kriteri, kostoja mesatare e shportës në BE arrin në 69.84 euro.
Cigaret janë përjashtuar nga kjo llogaritje, pasi çmimet e tyre ndryshojnë ndjeshëm, ndërsa përqindja e duhanpirësve nuk është e njëjtë në të gjitha shtetet.
Ashtu si në indeksin e përgjithshëm, shporta ushqimore është më e shtrenjta në Zvicër, ku kushton 137.90 euro, ndërsa më e lira është në Moldavi, me 41.10 euro.
Shporta kushton më shumë se 100 euro edhe në Norvegji, ku arrin në 116.10 euro. Ndër shtetet e tjera të shtrenjta janë Luksemburgu me 99 euro, Austria me 88.10 euro dhe Danimarka me 87.70 euro.
Franca mbetet shteti më i shtrenjtë ndër pesë ekonomitë kryesore të krahasuara. Shporta kushton 87.40 euro në Francë, krahasuar me vetëm 63 euro në Spanjë.
Në Itali, këto produkte kushtojnë 80 euro, në Gjermani 75.20 euro, ndërsa në Mbretërinë e Bashkuar 69.10 euro.
Shporta me 18 produkte ushqimore mund të blihet për më pak se 50 euro në Maqedoninë e Veriut (43.90 euro), Kosovë (45.50 euro), Rumani (45.90 euro), Gjeorgji (46.90 euro), Poloni (49.60 euro), Serbi (49.70 euro), Mal të Zi (49.80 euro) dhe Bosnjë e Hercegovinë (49.80 euro).
Megjithatë, këto renditje bazohen në çmimet nominale. Kur merret parasysh fuqia blerëse, dallimet zvogëlohen. Renditjet mund të ndryshojnë gjithashtu pak nëse produktet në shportë peshohen sipas rëndësisë ose konsumit të tyre.
Roli i çmimeve të energjisë dhe kostove të punës
“Kostot e punës me gjasë janë bërë një nga faktorët më të qëndrueshëm që ndikojnë në çmimet e produkteve ushqimore në të gjithë Evropën, por kostot e energjisë mbeten gjithashtu një faktor i rëndësishëm”, tha Balogh.
Ai vuri në dukje se kostot më të larta të energjisë, karburanteve dhe transportit vazhdojnë të ndikojnë në prodhimin bujqësor, përpunimin e ushqimeve dhe shpërndarjen e tyre.
Benedetti tha se energjia është faktori kryesor që ka ndikuar në rritjen e fundit të çmimeve të ushqimeve, veçanërisht karburantet këtë herë.
Ajo shtoi se, që nga sulmet ndaj Iranit në fund të shkurtit, çmimi mesatar i naftës për automjete në BE ishte rritur nga 1.59 euro për litër më 23 shkurt në 2.24 euro më 28 shtator, niveli më i lartë që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2005.
“Nafta e lëviz të gjithë zinxhirin ushqimor, nga traktorët deri te kamionët që furnizojnë supermarketet”, tha ajo për Euronews Business.
Benedetti theksoi gjithashtu se ngadalësimi i inflacionit nuk nënkupton domosdoshmërisht rënien e çmimeve. Nëse inflacioni mbetet pozitiv, çmimet vazhdojnë të rriten, por me ritëm më të ngadaltë dhe duke u nisur nga një nivel tashmë më i lartë.
Pse buka kushton më shumë se tri herë në Danimarkë sesa në Bullgari?
“Çmimi i ushqimit në një dyqan përbëhet vetëm pjesërisht nga kostoja e vetë produktit ushqimor”, tha Benedetti.
“Ai përfshin gjithashtu pagat, energjinë, qiratë, transportin dhe taksat, të cilat janë shumë më të larta në shtetet më të pasura”.
Ajo vuri në dukje se një bukë e bardhë e freskët, me peshë 500 gramë, kushton 3.18 euro në Danimarkë dhe 1.02 euro në Bullgari, pra më shumë se tri herë më shtrenjtë, sipas të dhënave të Numbeo-s.
Ndërkaq, një duzinë vezësh, një produkt më i standardizuar, kushton 4.52 euro në Danimarkë dhe 2.69 euro në Estoni, pra më pak se dy herë më shtrenjtë.
Balogh shpjegoi se dallimet në çmimet e produkteve ushqimore ndërmjet shteteve evropiane pasqyrojnë një kombinim faktorësh, përfshirë pagat, kostot e tokës dhe të punës, strukturën e tregut të shitjes me pakicë, taksat, kurset e këmbimit, shpenzimet e logjistikës dhe transportit, produktivitetin bujqësor dhe preferencat e konsumatorëve. /Telegrafi/