5 shqiptarë dënohen me gati 49 vjet burg për vjedhjen e mbi një milion paundëve në Britani

5 shqiptarë dënohen me gati 49 vjet burg për vjedhjen e mbi një milion paundëve në Britani

Written by

in

5 shqiptarë dënohen me gati 49 vjet burg për vjedhjen e mbi një milion paundëve në Britani

Pesë burra shqiptarë janë dënuar me gjithsej 48 vjet e nëntë muaj burg në Britani të Madhe, pasi një grup i organizuar kriminal kreu të paktën 59 vjedhje në shtëpi luksoze në disa pjesë të vendit.

Grupi vodhi stoli, çanta të markave të shtrenjta, ora luksoze dhe para të gatshme, me vlerë që tejkalon një milion paund.

Sipas policisë së Cheshire-it, grupi vepronte në mënyrë të organizuar, duke përzgjedhur paraprakisht shtëpitë e personave të pasur. Anëtarët përdornin shkallë për të hyrë përmes dritareve të kateve të sipërme dhe ballkoneve, e më pas kontrollonin dhomat në kërkim të sendeve me vlerë.

Pesë të dënuarit janë Endrit Nikolli, 29 vjeç, Kristian Gropcaj, 30 vjeç, Krisjian Dedndreaj, 28 vjeç, George Pepa, 31 vjeç, dhe Sidorjan Lleshi, 26 vjeç, transmeton Klankosova.tv

Nikolli dhe Gropcaj u dënuan me nga 10 vjet burg, Dedndreaj dhe Pepa me nga nëntë vjet, ndërsa Lleshi me 10 vjet e nëntë muaj burg. Dënimet lidhen me komplotin për kryerjen e vjedhjeve, vjedhjet dhe, në disa raste, posedimin e pasurisë së përfituar nga veprimtaria kriminale.

Në këtë rast është dënuar edhe një grua britanike, Jade Tubb, 33 vjeçe, e cila mori një dënim prej 12 muajsh burgim me kusht për dy vjet, pasi pranoi fajësinë për posedim të pasurisë kriminale.

Hetimet zbuluan një rrjet që vepronte në disa qarqe

Hetimi nisi në tetor të vitit 2024, kur detektivët në Macclesfield identifikuan një seri vjedhjesh me metoda të ngjashme në zonën e Cheshire-it. Me zgjerimin e hetimeve dhe bashkëpunimin me policitë e qarqeve të tjera, autoritetet zbuluan se vjedhje të ngjashme po kryheshin në pjesë të ndryshme të Britanisë.

Hetuesit analizuan gjurmët e këpucëve të lëna në vendngjarje, pamjet dhe të dhënat nga sistemet automatike të njohjes së targave, si dhe komunikimet telefonike mes të dyshuarve.

Sipas policisë, katër prej të akuzuarve takoheshin shpesh në një kafene në zonën Jewellery Quarter të Birminghamit. Gjatë kontrolleve të kryera më 2 korrik 2025 në disa adresa në Walsall, Sutton Coldfield dhe Birmingham, policia arrestoi disa prej të dyshuarve. Lleshi u arrestua më vonë, më 3 shtator 2025, në shtëpinë e tij në Sheffield.

Gjatë bastisjeve, policia sekuestroi 13 çanta të markave të shtrenjta dhe 14 ora, me vlerë prej afro 17 mijë paundësh. U sekuestruan gjithashtu telefona celularë, ku u gjetën qindra fotografi të sendeve të vjedhura dhe mesazhe që përmbanin lidhje të Google Maps me lokacionet e vjedhjeve.

Autoritetet i lidhën të dyshuarit me të paktën 59 vjedhje në disa zona të Britanisë, përfshirë Cheshire, Derbyshire, Nottinghamshire, Staffordshire dhe Warwickshire. Vlera e përgjithshme e pasurisë së vjedhur tejkalon një milion paund, ndërsa policia beson se pjesa më e madhe e sendeve të vjedhura tashmë ishte shitur.

Vendosnin objektiva javore për vjedhjen e arit

Rreshterja detektive Laura Fox nga njësia hetimore në Macclesfield tha se hetimet zbuluan se grupi i përzgjidhte me kujdes viktimat dhe i studionte pronat para se të kryente vjedhjet.

Sipas saj, anëtarët e grupit kishin caktuar edhe objektiva javore për sasinë e arit që synonin të vidhnin. Ata, gjithashtu, shkëmbenin mesazhe ku mburreshin për veprimet e tyre dhe shpërndanin fotografi të sendeve të vjedhura.

Fox vlerësoi bashkëpunimin mes forcave të ndryshme policore, duke thënë se hetimi tregoi rëndësinë e koordinimit për identifikimin dhe ndjekjen penale të grupeve kriminale që veprojnë përtej kufijve administrativë.

Ndërkaq, kryeinspektori detektiv David Worthington paralajmëroi se personat që udhëtojnë drejt Cheshire-it për të kryer krime do të ndiqen penalisht, pavarësisht vendit ku jetojnë.

Rasti përmbyll një hetim të gjerë për një grup të organizuar që kishte shënjestruar dhjetëra shtëpi në Britaninë e Madhe, duke shkaktuar humbje që tejkalojnë një milion paund.