
Alexander Volkanovski ka vazhduar të shkruajë historinë në UFC, pasi mposhti Movsar Evloevin me nokaut teknik në raundin e dytë, duke mbrojtur titullin e kampionit në kategorinë deri në 66 kilogramë.
Përballja u zhvillua në kuadër të UFC 333 në Abu Dhabi, ku kampioni australian e përfundoi luftën pak sekonda para fundit të raundit të dytë, pas një kombinimi të fuqishëm goditjesh që e rrëzoi kundërshtarin rus dhe e detyroi gjyqtarin ta ndërpriste duelin.
Kjo ishte humbja e parë në karrierën profesionale të Evloevit, i cili deri në këtë përballje kishte regjistruar 20 fitore radhazi.
Ndërkohë, triumfi pati rëndësi të veçantë edhe për Volkanovskin, i cili regjistroi fitoren e nëntë në luftërat për titull në kategorinë Featherweight, duke kaluar legjendën Jose Aldo në këtë statistikë.
Pas përfundimit të eventit, presidenti i UFC-së, Dana White, e vlerësoi lart paraqitjen e australianit, duke theksuar se ai arriti të mposhtte një kundërshtar më të ri dhe të pamposhtur, duke qenë njëkohësisht luftëtari që kërkoi vazhdimisht përfundimin e përballjes.
“Ishte e pabesueshme. Ai është një luftëtar i jashtëzakonshëm. Të vijë këtu dhe të mposhtë në atë mënyrë një kundërshtar më të ri e të pamposhtur… Volkanovski është i pabesueshëm. Ai ishte agresori, ishte ai që e kërkonte përfundimin. Volk është ndërtuar ndryshe”, deklaroi White.
Në moshën 38-vjeçare, Volkanovski vazhdon të dëshmojë se mbetet një nga emrat më të mëdhenj të arteve marciale mikse, duke mbrojtur fronin e tij përballë një brezi të ri luftëtarësh.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali