Arlinda Zekaj kërkoi llogaridhënie tri ditë para vrasjes, Prokuroria konfirmon se nisi shqyrtimin e parashtresës

Arlinda Zekaj kërkoi llogaridhënie tri ditë para vrasjes, Prokuroria konfirmon se nisi shqyrtimin e parashtresës

Written by

in

Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur se më 22 tetor ka pranuar një parashtresë nga Arlinda Zekaj, e cila u vra tragjikisht, tri ditë pasi kishte adresuar shqetësimet e saj te institucionet përgjegjëse.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, përmes parashtresës, Zekaj kishte kërkuar ndërmarrjen urgjente të veprimeve ndaj zyrtarëve institucionalë, duke pretenduar për dështime në përmbushjen e detyrave zyrtare gjatë trajtimit të rasteve të saj, përfshirë ekzekutimin e një vendimi gjyqësor.

“Pas pranimit dhe shqyrtimit të parashtresës, Kryeprokurorja, në kuadër të kompetencave ligjore, ka urdhëruar regjistrimin e saj për trajtim nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftim.

Prokuroria ka bërë të ditur se pretendimet do të vlerësohen në aspektin e përgjegjësisë penale, në drejtim të veprës penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Po ashtu, parashtresa u është përcjellë për trajtim urgjent institucioneve përkatëse, përfshirë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Gjykatën Themelore në Pejë, Drejtorinë për Mirëqenie Sociale dhe Qendrën për Punë Sociale.

Këtyre institucioneve u është kërkuar shqyrtimi i pretendimeve dhe verifikimi i lëshimeve eventuale apo veprimeve të zyrtarëve, brenda përgjegjësive të tyre institucionale.

Lidhur me vendimin gjyqësor që kishte të bënte me shfrytëzimin e barabartë të shtëpisë, Prokuroria ka njoftuar se ekzekutimi i tij ishte mundësuar nga prokurorja kujdestare, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.

“Rrethanat e rastit, përfshirë pretendimet e paraqitura në parashtresën e viktimës dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet përkatëse, do të trajtohen me seriozitet dhe profesionalizëm, në përputhje me procedurat ligjore dhe kompetencat përkatëse”, thuhet më tej në njoftim.

Në fund, Prokuroria Themelore në Pejë ka shprehur ngushëllimet për familjen e viktimës.

Rasti është rikthyer në vëmendjen publike pas publikimit të letrës së Arlinda Zekajt, të cilën ajo e kishte shkruar tri ditë para vrasjes. Në të, ajo kishte ngritur shqetësime për trajtimin e rastit të saj dhe kishte kërkuar llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse./Telegrafi/