
Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar ashpër pas vrasjes së një gruaje në Vitomiricë të Pejës, duke e cilësuar ngjarjen thellësisht tronditëse dhe duke kërkuar një hetim urgjent, të plotë dhe të paanshëm nga organet kompetente.
Përmes një reagimi publik, e para e shtetit ka kërkuar llogaridhënie jo vetëm për të dyshuarit e krimit, por edhe për vetë zinxhirin institucional që kishte obligim ligjor për mbrojtjen e viktimës, transmeton Klankosova.tv.
Kërkoj nga organet kompetente që të hetojnë me përparësi jo vetëm rrethanat e vrasjes dhe përgjegjësinë penale të personave të dyshuar, por edhe trajtimin e kërkesave të viktimës dhe veprimet e secilit institucion që kishte detyrimin ligjor ta mbronte. Duhet të sqarohet nëse janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për vlerësimin e rrezikut dhe mbrojtjen e saj”, ka theksuar ajo.
Presidentja ka nënvizuar se asnjë sinjal alarmi apo kërkesë për ndihmë nuk guxon të neglizhohet nga organet e rendit dhe të drejtësisë.
Çdo sinjal për rrezik, çdo kërkesë për ndihmë dhe çdo ankesë ndaj mosveprimit institucional duhet të trajtohet me seriozitetin maksimal. Mbrojtja e jetës dhe sigurisë së qytetarëve është detyrim i panegociueshëm i institucioneve”, shtoi ajo, duke kërkuar veprime me urgjencë dhe profesionalizëm.
Më tej, në reagim theksohet se dështimet eventuale të shtetit përballë thirrjeve të viktimave duhet të marrin përgjigje të qartë ligjore.
“Asnjë grua nuk duhet të mbetet e pambrojtur pasi kërkon ndihmë nga institucionet e shtetit. Siguria dhe dinjiteti i çdo gruaje duhet të trajtohen si përgjegjësi themelore institucionale, ndaj çdo dyshim për dështim në përmbushjen e kësaj përgjegjësie duhet të marrë përgjigje të qartë”, deklaroi presidentja.
Në fund, duke i shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes dhe të afërmve të të ndjerës, ajo porositi se mbrojtja e jetës së grave mbetet një detyrim i panegociueshëm dhe pa asnjë kompromis.