Pas trajtimit të kancerit të gjirit, shumë gra përballen me frikën nga rikthimi i sëmundjes, ankthin para kontrolleve dhe ndryshimet në vetëbesim e marrëdhënie. Trajtimi përfundon, por beteja emocionale mund të vazhdojë
Atifete Syla
Psikologe klinike – psikoterapeute
Përfundimi i trajtimit të kancerit të gjirit zakonisht shënon një moment lehtësimi, shprese dhe rikthimi gradual në jetën e përditshme. Megjithatë, për shumë gra, përfundimi i trajtimit mjekësor nuk nënkupton edhe përfundimin e shqetësimeve psikologjike. Frika nga rikthimi i sëmundjes dhe pasiguria për të ardhmen mund të vazhdojnë edhe kur rezultatet mjekësore janë inkurajuese.
Ndërsa familjarët presin që gruaja t’i rikthehet normalitetit, ajo mund të përballet me ndryshime të thella në mënyrën se si e percepton trupin, shëndetin dhe marrëdhëniet personale. Kjo periudhë kërkon mirëkuptim, sepse rikuperimi pas kancerit nuk është vetëm proces fizik, por edhe psikologjik.
Pse frika vazhdon edhe kur trajtimi ka përfunduar?
Frika nga rikthimi i kancerit, e njohur në psiko-onkologji si Fear of Cancer Recurrence (FCR), është ndër shqetësimet më të zakonshme pas trajtimit. Ajo përshkruan pasigurinë se sëmundja mund të rikthehet, edhe kur ekzaminimet nuk tregojnë shenja të saj.
Gjatë trajtimit, gruaja ndjek një strukturë të qartë konsultash, procedurash dhe ndërhyrjesh. Kur kjo fazë përfundon, kontaktet me ekipin mjekësor rrallohen dhe mund të dobësohet ndjenja e sigurisë.
Përvoja e kancerit ndryshon marrëdhënien me trupin. Një dhimbje apo lodhje e zakonshme mund të interpretohet si paralajmërim i rikthimit të sëmundjes. Kjo lidhet me hipervigjilencën, një gjendje të vëmendjes së shtuar ndaj ndryshimeve trupore.
Gruaja mund ta kontrollojë shpesh trupin, të kërkojë siguri nga mjekët ose të hulumtojë vazhdimisht për simptomat. Në raste të tjera, ajo shmang gjithçka që ia kujton sëmundjen.
Këto shqetësime mund të ndikojnë në gjumë, përqendrim dhe mirëqenie emocionale. Disa gra hezitojnë të planifikojnë udhëtime, të marrin vendime profesionale apo të ndërtojnë plane afatgjata, nga pasiguria për shëndetin.
Foto: YuriArcursPeopleimages
Ankthi para kontrolleve: Kur pritja bëhet më e rëndë se ekzaminimi
Një nga fenomenet e njohura në psiko-onkologji është scanxiety, term që përshkruan ankthin e lidhur me ekzaminimet mjekësore dhe pritjen e rezultateve.
Kontrollet periodike mund të riaktivizojnë kujtimet e diagnostikimit dhe frikën nga marrja e një lajmi të keq. Ambienti spitalor, aparaturat apo pritja para konsultës mund të shërbejnë si nxitës emocionalë.
Në këto situata shfaqet shpesh ankthi anticipator, shqetësimi që lind përpara një ngjarjeje me rezultat të pasigurt. Ai mund të fillojë disa ditë ose javë para kontrollit, duke shkaktuar pagjumësi, nervozizëm dhe vështirësi në përqendrim.
Edhe rezultatet e mira nuk e eliminojnë domosdoshmërisht frikën për kontrollet e ardhshme. Megjithatë, ankthi para ekzaminimeve nuk është tregues se sëmundja është rikthyer.
Kur frika fillon ta drejtojë jetën
Një shkallë frike pas kancerit është e pritshme. Dallimi ndërmjet shqetësimit të natyrshëm dhe ankthit që kërkon ndihmë profesionale qëndron te intensiteti, kohëzgjatja dhe ndikimi në funksionimin e përditshëm.
Vlerësimi psikologjik rekomandohet kur mendimet për rikthimin bëhen të vazhdueshme, gjumi çrregullohet, përqendrimi dobësohet ose marrëdhëniet familjare ndikohen.
Shenja të tjera janë sulmet e panikut, kontrollimi i tepruar i trupit, kërkimi i përsëritur i sigurisë nga të tjerët apo shmangia e ekzaminimeve të rekomanduara.
Në disa raste mund të shfaqen simptoma depresive ose reagime të lidhura me traumën. Mbështetja profesionale mund të kërkohet edhe para se gjendja të rëndohet. Frika bëhet veçanërisht problematike kur fillon të përcaktojë vendimet dhe mënyrën e jetesës.
Trupi pas kancerit: Vetëbesimi, feminiteti dhe intimiteti
Trajtimi i kancerit të gjirit mund të ndikojë në mënyrën se si gruaja e percepton trupin dhe identitetin e saj. Ndërhyrjet kirurgjikale, humbja e gjirit, cikatricet, rënia e flokëve dhe ndryshimet hormonale mund të ndikojnë në vetëbesim dhe imazhin trupor.
Për disa gra, gjiri lidhet ngushtë me përjetimin personal të feminitetit dhe seksualitetit. Ndryshimet fizike mund të shkaktojnë pasiguri, pikëllim ose vështirësi në pranimin e trupit. Megjithatë, këto përjetime janë individuale dhe nuk ndodhin njësoj te të gjitha gratë.
Në marrëdhëniet intime mund të ndikojnë frika nga refuzimi, ulja e dëshirës seksuale, thatësia vaginale apo dhimbja gjatë marrëdhënieve. Ndonjëherë edhe partneri heziton të afrohet nga frika se mos shkakton shqetësim.
Komunikimi i hapur, këshillimi psikologjik dhe trajtimi i simptomave fizike mund të ndihmojnë në përmirësimin e vetëbesimit dhe intimitetit.
foto: kryzhov
Vetmia pas trajtimit dhe presioni për të qenë e fortë
Gjatë trajtimit, familjarët dhe miqtë zakonisht ofrojnë kujdes dhe mbështetje të vazhdueshme. Pas përfundimit, kjo vëmendje mund të zvogëlohet, sepse të tjerët besojnë se periudha më e vështirë ka kaluar.
Por rikuperimi psikologjik shpesh vazhdon. Pikërisht atëherë mund të shfaqen më qartë frika, trishtimi, zemërimi dhe lodhja emocionale.
Krijohet një mospërputhje ndërmjet pritshmërive të familjes dhe përjetimit të gruas. Familjarët presin gëzim dhe normalitet, ndërsa ajo ende përpiqet të përpunojë atë që ka kaluar.
Shprehje si “duhet të jesh e fortë”, “mendo pozitivisht” ose “tani gjithçka ka kaluar”, megjithëse thuhen me qëllime të mira, mund të krijojnë përshtypjen se frika dhe trishtimi nuk janë të pranueshme.
Në psikologji, imponimi i vazhdueshëm i pozitivitetit përshkruhet shpesh si pozitivitet toksik, ndonëse nuk përbën diagnozë klinike.
Gruaja mund t’i fshehë emocionet për të mos shqetësuar familjarët, duke përjetuar vetmi edhe mes njerëzve të dashur.
Është e natyrshme të përjetohen njëkohësisht shpresa, mirënjohja, frika dhe trishtimi. Nuk ka prova se mendimet negative, në vetvete, shkaktojnë rikthimin e kancerit.
Familja dhe vështirësitë që shpesh mbeten të padukshme
Frika nga rikthimi i sëmundjes mund të ndikojë në marrëdhënien me partnerin dhe fëmijët. Në çift mund të shfaqen tërheqje emocionale, nervozizëm ose nevojë e shtuar për mbështetje. Ndonjëherë partnerët shmangin bisedat për sëmundjen, duke menduar se po mbrojnë njëri-tjetrin, por heshtja mund të krijojë distancë.
Në marrëdhënien me fëmijët, shqetësimi shpesh lidhet me pasigurinë për të ardhmen e tyre. Disa nëna bëhen tepër mbrojtëse, ndërsa të tjera përpiqen t’i fshehin emocionet. Komunikimi i sinqertë, i përshtatur me moshën, ndihmon në ruajtjen e sigurisë emocionale.
Familjarët mund të mos i kuptojnë gjithmonë lodhjen e vazhdueshme, vështirësitë në përqendrim, pasigurinë ndaj trupit apo ndjenjën e humbjes së identitetit të mëparshëm.
Lodhja pas kancerit mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të trajtimit, ndërsa disa gra përjetojnë harresë ose mjegullim mendor. Këto vështirësi mund të lidhen me trajtimin, gjumin dhe ngarkesën emocionale.
Pamja e mirë fizike nuk e përjashton vuajtjen psikologjike. Prandaj, dëgjimi pa gjykim dhe respektimi i ritmit individual të rikuperimit janë pjesë thelbësore e mbështetjes familjare.
foto: africaimages
Si mund të rikthehet siguria psikologjike?
Ndërhyrjet psikologjike të mbështetura në evidencë shkencore mund të ndihmojnë në zvogëlimin e frikës dhe përmirësimin e cilësisë së jetës.
Terapia kognitive-bihejviorale (CBT) ndihmon në identifikimin e mendimeve katastrofizuese dhe ndryshimin e sjelljeve që përforcojnë ankthin. Terapia e pranimit dhe angazhimit (ACT) ndihmon në përballimin e pasigurisë, ndërsa ndërhyrjet e bazuara në mindfulness mund të përmirësojnë rregullimin emocional.
Të dobishme mund të jenë edhe teknikat e relaksimit, grupet mbështetëse, këshillimi familjar, rutina e qëndrueshme e gjumit dhe aktiviteti fizik i përshtatur.
Mbështetja profesionale rekomandohet kur frika ndikon në punë, gjumë, marrëdhënie ose ndjekjen e kontrolleve mjekësore. Simptomat e reja apo të vazhdueshme fizike duhet të vlerësohen nga mjeku dhe jo të interpretohen automatikisht si ankth.
Qëllimi i trajtimit psikologjik nuk është eliminimi i çdo pasigurie, por rikthimi i aftësisë për të jetuar pa u dominuar nga frika.
Rikuperimi psikologjik nuk do të thotë ta harrosh përvojën e kancerit, por të mësosh të jetosh me kujtimin e saj, pa lejuar që frika të ta përcaktojë të gjithë të ardhmen. /Telegrafi/