Gjykata Kushtetuese e Specializuar rrëzon pretendimet e Pjetër Shalës

Gjykata Kushtetuese e Specializuar rrëzon pretendimet e Pjetër Shalës

Written by

in

Sipas komunikatës për shtyp të Dhomave të Specializuara të Kosovës, aktgjykimi u lëshua më 23 tetor 2026. Në kërkesën e tij, Shala kishte ngritur disa pretendime për shkelje të të drejtave individuale gjatë procesit penal ndaj tij.

Një nga çështjet e ngritura nga Shala kishte të bënte me kohën e kaluar ndërmjet krimeve të paraqitura në aktakuzë dhe gjykimit të tij. Ai pretendoi se kjo periudhë kishte cenuar drejtësinë e procesit. Megjithatë, Dhoma vlerësoi se ai kishte përfituar nga një proces gjyqësor kontradiktor dhe se procedurat, në tërësi, kishin qenë të drejta dhe joarbitrare. Pjesë të ankesës u shpallën të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike.

Shala kundërshtoi gjithashtu pranimin dhe përdorimin në gjykim të deklaratave të dhëna më herët para Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë dhe Policisë Gjyqësore Federale të Belgjikës, kur ishte marrë në pyetje si i dyshuar pa përfaqësues ligjor.

Për këtë çështje, Dhoma konstatoi se Shalës i ishin dhënë mundësi të shumta për të kundërshtuar deklaratat dhe përdorimin e tyre, ndërsa kundërshtimet ishin trajtuar nga panelet penale. Sipas komunikatës, njëra prej deklaratave nuk ishte përdorur në gjykim, ndërsa të tjerat nuk kishin qenë vendimtare për shpalljen e tij fajtor. Edhe në këtë pikë, disa pretendime u shpallën të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike.

Një tjetër pretendim kishte të bënte me parimin e ligjshmërisë. Shala kishte argumentuar se ndërmarrja kriminale e përbashkët, si formë e përgjegjësisë penale, dhe krimi i luftës i ndalimit arbitrar në një konflikt të armatosur jondërkombëtar nuk ishin përcaktuar mjaftueshëm qartë ose nuk ishin të parashikueshme në kohën kur pretendohej se ishin kryer veprat.

Dhoma e Gjykatës Kushtetuese vlerësoi se forma bazë e ndërmarrjes kriminale të përbashkët njihej nga e drejta zakonore ndërkombëtare në kohën përkatëse dhe se edhe ndalimi arbitrar kishte bazë mjaftueshëm të qartë në këtë të drejtë. Ajo konstatoi se burimet përkatëse ligjore ishin të disponueshme shumë kohë para kryerjes së krimeve dhe se përgjegjësia penale mbi këto baza ishte e parashikueshme për Shalën. Për rrjedhojë, nuk konstatoi shkelje të parimit të ligjshmërisë.

Në kërkesën e tij, Shala kishte kundërshtuar edhe nivelin e specifikimit të akuzave, duke pretenduar se nuk ishin identifikuar mjaftueshëm anëtarët e ndërmarrjes kriminale të përbashkët dhe as numri e identiteti i viktimave. Sipas tij, kjo kishte cenuar të drejtën për t’u njoftuar në mënyrë efektive për akuzat dhe për të përgatitur mbrojtjen.

Dhoma vlerësoi se akuzat përmbanin informacion të mjaftueshëm për t’i mundësuar Shalës të kuptonte pretendimet ndaj tij dhe të përgatiste mbrojtjen. Ajo theksoi se ai ishte njoftuar për përfshirjen e anëtarëve të tjerë të ndërmarrjes kriminale të përbashkët, përtej atyre të identifikuar me emër, dhe se kishte marrë hollësi të mëtejshme për viktimat shumë kohë para fillimit të gjykimit.

Në pjesën e fundit të kërkesës, Shala kundërshtoi zbatimin e shkallëzimit të dënimeve sipas Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, në vend të ligjeve të tjera në fuqi në Kosovë në kohën përkatëse. Ai pretendoi gjithashtu se dënimi i shqiptuar ishte joproporcional dhe cenonte parimin e barazisë para ligjit, krahasuar me dënimet në çështje të ngjashme.

Lidhur me pretendimin për pabarazi dhe tepricë të dënimit, Dhoma e shpalli ankesën të papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike. Ndërsa për zbatimin e ligjit mbi dënimet, ajo rikujtoi se Dhomat e Specializuara veprojnë brenda sistemit të drejtësisë së Kosovës dhe se ligji i zbatueshëm për dënimet është Ligji nr. 05/L-053. Sipas këtij ligji, panelet penale nuk janë të detyruara të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës për caktimin e dënimeve për krime ndërkombëtare, por duhet t’i marrin ato parasysh.

Në përfundim, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatoi shkelje kushtetuese lidhur me pretendimet që shqyrtoi në themel, ndërsa pjesë të tjera të kërkesës i shpalli të papranueshme, kryesisht për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike.

Burimi: RTKLive