U kërkua dorëheqja e Gërvallës pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ministrja pranon se institucionet nuk e kanë kryer detyrën siç duhet

U kërkua dorëheqja e Gërvallës pas vrasjes së Arlinda Zekajt, ministrja pranon se institucionet nuk e kanë kryer detyrën siç duhet

Written by

in

Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka thënë se pas vrasjes së Arlinda Zekajt nuk ka dalë nga takimi ndërinstitucional me bindjen se institucionet përgjegjëse e kanë kryer plotësisht detyrën e tyre për mbrojtjen e saj.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, Gërvalla ka bërë të ditur se menjëherë pas rastit ka kërkuar informacion zyrtar nga Policia e Kosovës, për të sqaruar rrethanat dhe veprimet e ndërmarra nga institucionet, përfshirë trajtimin e raportimeve të mëparshme.

Ajo ka treguar se në një takim të jashtëzakonshëm ndërinstitucional, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe ministrin për Familje dhe Vlera të Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, kanë kërkuar nga institucionet përkatëse verifikimin urgjent të fakteve dhe rrethanave të rastit.

“Dhe të drejtën, nuk dolëm nga ky takim me ndjenjën që institucionet e thirrura për të mbrojtur Arlindën nga dhuna e kanë kryer në plotësi detyrën e tyre konform ligjit dhe përgjegjësive të tyre”, ka deklaruar Gërvalla.

Ajo ka theksuar se mbrojtja e viktimave kërkon zbatimin me kohë të ligjit, bashkëpunim ndërinstitucional dhe vlerësim të rrezikut mbi bazën e fakteve.

“Por mbrojtja reale bëhet vetëm kur dispozitat zbatohen me kohë, kur institucionet komunikojnë me njëra-tjetrën dhe kur rreziku vlerësohet mbi bazën e fakteve, pa lëshime të qëllimshme apo të paqëllimshme”, ka thënë ajo.

Pas vrasjes së Arlinda Zekajt, në Kuvend është kërkuar përgjegjësi institucionale, përfshirë dorëheqje dhe shkarkime.

Gërvalla, në deklarimin e saj, nuk ka dhënë ndonjë përgjigje të drejtpërdrejtë nëse e konsideron të nevojshme dorëheqjen e saj, por ka kërkuar verifikimin e veprimeve të institucioneve përgjegjëse.

Burimi: Dukagjini