Shefi i UNMIK-ut dënon vrasjen e Arlinda Zekajt: E dyta brenda pak më shumë se dy javësh

Shefi i UNMIK-ut dënon vrasjen e Arlinda Zekajt: E dyta brenda pak më shumë se dy javësh

Written by

in

Shefi i UNMIK-ut dënon vrasjen e Arlinda Zekajt: E dyta brenda pak më shumë se dy javësh

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, ka dënuar ashpër vrasjen e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, mbrëmjen e së dielës.

Në një reagim të publikuar të hënën, Due u ka shprehur ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve të viktimës, duke theksuar nevojën urgjente për të luftuar dhunën me bazë gjinore.

“Kjo vrasje brutale, e dyta e një gruaje në Kosovë brenda pak më shumë se dy javësh dhe e teta këtë vit, nënvizon pasojat shkatërruese të dhunës me bazë gjinore dhe nevojën urgjente për ta marrë seriozisht çdo thirrje për ndihmë. Dhuna ndaj grave nuk duhet të tolerohet kurrë”, ka deklaruar Due.

Shefi i UNMIK-ut ka bërë thirrje për hetim të plotë të rastit dhe që përgjegjësit të dalin para drejtësisë, në përputhje me sundimin e ligjit.

Ai ka theksuar se parandalimi i dhunës ndaj grave dhe vajzave është përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe e shoqërisë, duke nënvizuar rëndësinë e sigurimit të qasjes me kohë në shërbime efektive të mbrojtjes dhe mbështetjes.

Po ashtu, Due ka vënë në pah nevojën për të sfiduar stereotipet e dëmshme gjinore, për të promovuar barazinë dhe respektin e ndërsjellë, si dhe për të forcuar masat parandaluese përmes vetëdijesimit dhe edukimit të synuar.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka nxitur reagime të shumta dhe thirrje për llogaridhënie institucionale, ndërsa rasti ka rikthyer në vëmendje nevojën për mbrojtje më efektive të grave që raportojnë dhunë dhe kërkojnë ndihmë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali