
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se rastet me fruth po vazhdojnë të regjistrohen në vend, duke u bërë thirrje prindërve që t’i vaksinojnë fëmijët dhe të plotësojnë dozat e humbura.
Sipas të dhënave të IKShPK-së, nga 16 prilli deri më 25 tetor 2026 janë konfirmuar gjithsej 242 raste me fruth, ndërsa 18 prej tyre janë regjistruar vetëm gjatë javës së fundit.
IKShPK-ja ka bërë të ditur se mbi 95 për qind e rasteve të konfirmuara u përkasin personave të pavaksinuar me vaksinën MMR, e cila mbron nga fruthi, parotiti dhe rubeola.
Instituti ka paralajmëruar se fruthi është sëmundje shumë ngjitëse dhe mund të shkaktojë komplikime serioze, veçanërisht te fëmijët e vegjël. Sipas IKShPK-së, vaksinimi në kohë është masa kryesore për parandalimin e sëmundjes dhe kufizimin e përhapjes së saj.
Gjatë këtij viti, përmes aktiviteteve të vaksinimit janë vaksinuar mbi 4.006 fëmijë të grupmoshës 2–5 vjeç.
IKShPK-ja u ka bërë thirrje prindërve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe, nëse kanë humbur ndonjë dozë, të kontaktojnë ekipet e vaksinimit për ta plotësuar atë sa më parë.
“Vaksinimi është e drejtë dhe përgjegjësi e përbashkët. Mbrojtja e çdo fëmije fillon me vaksinimin në kohë”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali