Donjeta Sadiku nominohet për ta përfaqësuar Evropën në Kupën Kontinentale Papp 2026

Donjeta Sadiku nominohet për ta përfaqësuar Evropën në Kupën Kontinentale Papp 2026

Written by

in

Boksierja kosovare Donjeta Sadiku është nominuar për ta përfaqësuar Ekipin Kontinental Evropian në edicionin e parë të Kupës Papp 2026, një garë ndërkontinentale që do të bashkojë boksierët më të mirë nga Evropa dhe kontinenti amerikan.

Sipas njoftimit të Federatës së Boksit të Kosovës, Sadiku është nominuar në kategorinë e femrave deri në 60 kilogramë, për garën që do të zhvillohet më 14 nëntor në Budapest të Hungarisë.

Ky nominim përbën një vlerësim të rëndësishëm për boksieren kosovare, e cila vazhdon të konfirmojë vendin e saj në mesin e emrave të dalluar të boksit evropian.

Përzgjedhja e saj lidhet me rezultatet e arritura në Kampionatin Evropian për Elitë, të mbajtur në Sofje të Bullgarisë, ku në shtator fitoi medaljen e bronztë në kategorinë deri në 60 kilogramë.

Po ashtu në Lojërat Mesdhetare në Taranto 2026 ku e fitoi medaljen e artë.

Kupa Papp është një ngjarje e re në boksin ndërkombëtar, e organizuar në bashkëpunim nga Boksi Evropian, Konfederata Panamerikane e Boksit dhe Federata Hungareze e Boksit.

Sipas organizatorëve, në këtë përballje ekipore do të garojnë nga dhjetë boksierë të Evropës dhe dhjetë të kontinentit amerikan.

Gara mban emrin e legjendës hungareze të boksit, Laszlo Papp, kampion olimpik në tri Olimpiada radhazi, në vitet 1948, 1952 dhe 1956.

Për Sadikun, nominimi për këtë ekip përfaqësues është një tjetër moment i rëndësishëm në karrierën ndërkombëtare dhe një mundësi për ta përfaqësuar Kosovën në një ngjarje që synon të bashkojë elitën e boksit nga dy kontinente. /Telegrafi/