Trabzonspori ka shënuar fitore dramatike në udhëtim ndaj Eyupsporit me rezultat 4-3, në një ndeshje ku protagonistë ishin edhe dy futbollistët shqiptarë, Qazim Laçi dhe Ernest Muçi.
Laçi arriti të shënojë një gol për vendasit, ndërsa Muçi kontriboi me dy asistime në fitoren e Trabzonsporit.
Eyupspori e nisi shumë mirë takimin, duke kaluar në epërsi në minutën e 12-të përmes Borrellit, i cili realizoi për 1-0.
I njëjti futbollist shënoi sërish në minutën e 32-të, këtë herë pas asistimit të Mebudes, duke dyfishuar epërsinë e vendasve në 2-0.
Megjithatë, pjesa e dytë solli një rikthim të jashtëzakonshëm të Trabzonsporit, që fillimisht ngushtoi rezultatin në 2-1 përmes Kabasakalit në minutën e 49-të, pas asistimit të Ernest Muçit.
Vetëm dy minuta më vonë, Simsir realizoi golin e barazimit për 2-2, sërish pas një asistimi të mesfushorit shqiptar.
Trabzonspori e përmbysi plotësisht rezultatin në minutën e 57-të, kur Franculino shënoi për 2-3.
Në minutën e 68-të, në skenë doli Qazim Laçi, i cili realizoi golin e barazimit për Eyupsporin, duke e çuar rezultatin në 3-3 pas asistimit të Mebudes.
Megjithatë, mysafirët nuk u dorëzuan dhe në minutën e 83-të, Franculino realizoi golin e tij të dytë personal, pas një tjetër asistimi të Ernest Muçit, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3-4.
Kështu, Muçi e përfundoi takimin me tri asistime, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të përmbysjes së Trabzonsporit, ndërsa Laçi la gjurmë me golin e realizuar për vendasit.
Ndeshja u karakterizua nga shtatë gola dhe një përmbysje e madhe, me futbollistët shqiptarë që patën rol të rëndësishëm në zhvillimin e saj. /Telegrafi/