Njollat e bardha dhe pamja e mjegulluar e gotave pas larjes në enëlarëse janë një problem i zakonshëm, që zakonisht shkaktohet nga uji i fortë, teprica e detergjentit ose mungesa e lëngut shpëlarës.
Megjithatë, me disa hapa të thjeshtë, mund t’ua riktheni gotave tejdukshmërinë dhe shkëlqimin.
Shkaku më i shpeshtë është uji i fortë, i pasur me minerale si kalciumi dhe magnezi, të cilat gjatë ngrohjes krijojnë depozita gëlqerore në sipërfaqen e qelqit.
Foto ilustruese
Për këtë arsye, është e rëndësishme të përdoret rregullisht kripa speciale për enëlarëse, e cila ndihmon në zbutjen e ujit.
Një rol të rëndësishëm luan edhe lëngu shpëlarës, i cili ndihmon ujin të rrëshqasë nga sipërfaqja e gotave pa lënë pika dhe gjurmë pas tharjes.
Po ashtu, përdorimi i tepërt i detergjentit mund të krijojë një shtresë të hollë që i bën gotat të duken të turbullta, ndaj sasia duhet përshtatur sipas udhëzimeve të prodhuesit dhe nivelit të ndotjes.
Për rezultate më të mira, duhet pastruar rregullisht edhe filtri dhe krahët spërkatës të enëlarëses, pasi mbetjet e ushqimit, yndyrat dhe gëlqerja mund të pengojnë qarkullimin e duhur të ujit.
Gjithashtu, rekomandohet pastrimi periodik i vetë pajisjes me produkte të posaçme.
Për të kuptuar nëse bëhet fjalë për gëlqere apo dëmtim të përhershëm të xhamit, mund të fërkoni gotën me një leckë të lagur me uthull.
Nëse njollat largohen, shkaku janë depozitat ose mbetjet e detergjentit.
Nëse turbullira vazhdon, qelqi mund të jetë dëmtuar nga veprimi i detergjentit dhe temperaturat e larta.
Në këtë rast, gotat e ndjeshme duhet të lahen në programin e posaçëm për qelq, me temperaturë më të ulët, ose me dorë, për të parandaluar dëmtimin e mëtejshëm. /Telegrafi/