MF: Miratohen ndryshimet në Ligjin e prokurimeve publike, transparencë më e madhe dhe shpenzim më efikas i mjeteve publike

MF: Miratohen ndryshimet në Ligjin e prokurimeve publike, transparencë më e madhe dhe shpenzim më efikas i mjeteve publike

Written by

in

Kuvendi, në seancën e tij të 122-të, miratoi ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit të Prokurimeve Publike, të cilat parashikojnë zgjidhje për modernizimin e sistemit të prokurimeve publike, rritjen e transparencës dhe konkurrencës, si dhe për shfrytëzimin më efikas dhe më të përgjegjshëm të mjeteve publike.

Siç thonë nga Ministria e Financave, ndryshimet rezultojnë nga përvojat e deritanishme në zbatimin e këtij ligji, nevoja për harmonizimin e tij me kushtet aktuale ekonomike, si dhe nga prioritetet reformuese të përcaktuara në Agjendën reformuese dhe Planin e rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor.

“Një nga segmentet kruciale është avancimi i Tregut elektronik për furnizime me vlerë të ulët, me qëllim të rritjes së shfrytëzimit të tij dhe nxitjes së konkurrencës më të madhe midis operatorëve ekonomikë. Njëkohësisht, po vendoset edhe zbatimi i detyrueshëm i kriterit “raporti më i mirë ndërmjet çmimit dhe cilësisë”, me ç’rast gjatë përzgjedhjes së ofertës më të favorshme, përveç çmimit, do të merret parasysh cilësia dhe arsyetimi afatgjatë”.

“Me ndryshimet ligjore gjithashtu përforcohet digjitalizimi i furnizimeve publike duke zgjeruar kompetencat e Byrosë së Furnizimeve Publik për shfrytëzimin e pajisjeve dhe zgjidhjeve moderne dixhitale të bazuara në inteligjencën artificiale. Qëllimi është monitorimi më efikas i procedurave, njohja në kohë e risqeve dhe parandalimi i abuzimeve të mundshme. Gjithashtu, krijohet baza juridike për vendosjen e servisimit të faqes së internetit dhe shkëmbimit automatik të të dhënave me institucionet e tjera dhe subjektet përkatëse”, thonë nga MF.

“Me qëllim të rritjes së transparencës, vendoset detyrimi për publikimin e njoftimit për transparencë paraprake vullnetare në procedurat e negociimit pa publikimin e shpalljes në rastet e përcaktuara me ligj. Kjo mundëson qasje më të gjerë të publikut dhe operatorëve ekonomikë në informacion dhe njëkohësisht thjeshton disa procedura administrative”.

“Ndryshimet përfshijnë edhe profesionalizimin e kuadrit përmes vendosjes së sistemit të përsosjes së vazhdueshme profesionale të zyrtarëve të prokurimeve publike, në vend të ricertifikimit periodik përmes dhënies së sërishme të provimit”.

“Po ashtu, u krye harmonizimi i pragjeve të vlerave për zbatimin e ligjit me kushtet ekonomike dhe rritjen e shpenzimeve, si dhe rishikimin e kompensimeve për procedurat ankimore, me parimin e mbrojtjes ligjore të arritshme dhe efikase”.

“Ndryshimet ligjore të miratuara paraqesin një pjesë të aktiviteteve reformuese më të gjëra për modernizimin e sistemit të prokurimeve publike dhe harmonizimin e tij me standardet evropiane. Qëllimi kryesor është transparenca më e madhe, konkurrenca më e fuqishme dhe menaxhimi më efikas i mjeteve publike, në interes të institucioneve dhe qytetarëve”, thonë nga Ministria e Financave.