Presidenti i Finlandës dhe kryeministri i Norvegjisë bisedojnë me Putinin për përfundimin e luftës në Ukrainë

Presidenti i Finlandës dhe kryeministri i Norvegjisë bisedojnë me Putinin për përfundimin e luftës në Ukrainë

Written by

in

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, dhe kryeministri i Norvegjisë, Jonas Gahr Støre, kanë zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin, lidhur me luftën në Ukrainë dhe mundësitë për t’i dhënë fund asaj.

Sipas një njoftimi të zyrës së presidentit finlandez, biseda ishte vazhdim i takimit të mbajtur javën e kaluar në Oslo, ku u zhvilluan bisedime mes përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës.

Qëllimi i telefonatës ishte që Stubb dhe Støre t’i përcillnin drejtpërdrejt Putinit mesazhe lidhur me negociatat e ardhshme për përfundimin e luftës. Biseda u zhvillua gjithashtu në prag të takimeve të pritshme mes Rusisë, Ukrainës dhe SHBA-së në Abu Dhabi, në fillim të nëntorit.

“Finlanda dhe Norvegjia kufizohen me Rusinë dhe janë mbështetëse të vendosura të Ukrainës”, thuhet në njoftimin e presidencës finlandeze.

Në të theksohet se të dyja vendet kanë interes të përbashkët për stabilitetin dhe sigurinë në rajonin e Detit Baltik dhe në Veriun e Largët.

Pas bisedës, Stubb i cilësoi diskutimet si “të drejtpërdrejta dhe përmbajtjesore”, duke theksuar se përfundimi i luftës kërkon bisedime të drejtpërdrejta me Rusinë.

Ndërkaq, kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, theksoi rëndësinë e uljes së tensioneve.

“Lufta ka kosto të jashtëzakonshme njerëzore dhe materiale. Vuajtjet dhe shkatërrimet do të ndikojnë në breza të tërë. Gjatë bisedës, theksuam rëndësinë e uljes së përshkallëzimit”, deklaroi Støre.

Në njoftimin zyrtar sqarohet se Stubb dhe Støre morën pjesë në bisedë si udhëheqës të vendeve të tyre dhe jo në emër të Evropës në tërësi.

Burimi: Dukagjini