Mbi gjysmë ton marihuanë në Maqitevë të Suharekës, Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit

Mbi gjysmë ton marihuanë në Maqitevë të Suharekës, Prokuroria kërkon paraburgim për dy të dyshuarit

Written by

in

Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy personave, M.A. dhe B.A., të arrestuar nën dyshimin për përfshirje në kultivimin dhe përpunimin e substancave narkotike në fshatin Maqitevë të Suharekës.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti lidhet me aksionin e 16 shtatorit 2025, kur në një shtallë në zonën malore të Maqitevës ishte zbuluar dhe sekuestruar mbi gjysmë ton marihuanë.

Prokuroria bën të ditur se arrestimet janë rezultat i hetimeve të vazhdueshme dhe intensive lidhur me këtë rast.

“Sipas kërkesës së Prokurorisë, të dyshuarit M.A. dhe B.A., kanë vepruar në bashkëkryerje me F.N., me qëllim të kultivimit të kanabisit dhe përgatitjes së narkotikëve për shitje dhe shpërndarje në treg”, thuhet në njoftim.

Gjatë aksionit të vitit 2025, përveç substancës narkotike, autoritetet kishin sekuestruar një granatëhedhës (mortajë), një raketë krahu, një pushkë gjuetie, fishekë, një traktor me rimorkio, pajisje dhe vegla pune të përdorura për kultivim e përpunim, pajisje kompjuterike dhe prova të tjera materiale.

Po ashtu, Prokuroria kishte lëshuar urdhër të përkohshëm për sekuestrimin ose ngrirjen e dy parcelave në këtë fshat, me sipërfaqe prej 1,963 dhe 1,438 metrash katrorë.

Të dyshuarit ngarkohen me veprat penale të kultivimit të bimëve të kanabisit, si dhe të blerjes, posedimit, shpërndarjes dhe shitjes së paautorizuar të narkotikëve.

Sipas Prokurorisë, M.A. dyshohet edhe për armëmbajtje të paautorizuar, pasi gjatë kontrollit të shtëpisë së tij, më 26 tetor 2026, është sekuestruar një pushkë gjysmëautomatike me shtatë fishekë.

Ndërkaq, B.A. dyshohet për të njëjtën vepër penale, pasi gjatë kontrollit të shtëpisë së tij në shtator të vitit 2025 ishte sekuestruar një pushkë gjuetie njëtytëshe.

Në përfundim të njoftimit, Prokuroria Themelore në Prizren ka ritheksuar përkushtimin e saj në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Të dy personat mbeten të dyshuar, ndërsa përgjegjësia e tyre penale do të përcaktohet nga organet kompetente të drejtësisë. /Telegrafi/