
Gjykata Supreme e Kosovës e ka hedhur si të palejuar ankesën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, B.I., kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për largimin e tij nga pozita udhëheqëse.
Vendimi është marrë më 27 tetor 2026, pas shqyrtimit të lejueshmërisë së ankesës.
Sipas Supremes, vendimi i KPK-së për largimin e kryeprokurorit nga pozita udhëheqëse nuk është vendim disiplinor, pasi ndaj tij nuk është konstatuar përgjegjësi disiplinore.
Gjykata ka vlerësuar se vendimi ka karakter administrativ dhe se ligjshmëria e tij duhet të shqyrtohet përmes procedurës së konfliktit administrativ, para gjykatës kompetente.
Për këtë arsye, Supremja ka konstatuar se nuk ka bazë ligjore për ta shqyrtuar ankesën në kuadër të kompetencës së saj të veçantë për çështjet disiplinore.
Burimi: Sinjali