Projekti për qendër të inteligjencës artificiale në Viti synon mbi 3 mijë vende të reja pune

Projekti për qendër të inteligjencës artificiale në Viti synon mbi 3 mijë vende të reja pune

Written by

in

Kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur përfaqësuesit e kompanive të përfshira në projektin për ndërtimin e një qendre moderne të të dhënave dhe infrastrukturës së inteligjencës artificiale në Sllatinë, i cili synon krijimin e mbi 3 mijë vendeve të reja të punës.

Në takim morën pjesë përfaqësues të kompanisë DAiF SV L.L.C., Dardania AI dhe Beacon Hill Industries, të cilët diskutuan për projektin që parasheh investime në teknologji të avancuar dhe zhvillimin e një qendre të inteligjencës artificiale, të njohur si “AI Factory”.

Sipas planeve të prezantuara, projekti parasheh investime miliardëshe në përpunimin, ruajtjen dhe menaxhimin e të dhënave, si dhe synon bashkëpunimin me kompani udhëheqëse të teknologjisë në nivel botëror.

Realizimi i projektit pritet të krijojë mundësi të reja punësimi për të rinjtë dhe profesionistët, si dhe të ndikojë në zhvillimin e bizneseve vendore. Megjithatë, mbi 3 mijë vendet e punës janë objektiv i projektit dhe jo vende pune të krijuara tashmë.

Një hap institucional drejt avancimit të investimit është ndërmarrë më 26 tetor 2026, kur Kuvendi Komunal i Vitisë miratoi vendimin për dhënien e pëlqimit institucional dhe mbështetjes komunale për investimin e propozuar nga DAiF SV L.L.C.

Sipas njoftimit, vendimi përcakton angazhimin e organeve komunale për trajtimin me prioritet administrativ të dokumentacionit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Projekti synon ta pozicionojë Vitinë si një qendër të rëndësishme të ekonomisë digjitale, duke krijuar mundësi që të rinjtë të zhvillohen profesionalisht dhe të punojnë në vendlindje. /Telegrafi/