Zelensky bisedon me liderët e Finlandës dhe Norvegjisë pas telefonatës së tyre me Putinin

Zelensky bisedon me liderët e Finlandës dhe Norvegjisë pas telefonatës së tyre me Putinin

Written by

in

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka zhvilluar biseda me liderët e Finlandës dhe Norvegjisë, Alexander Stubb dhe Jonas Gahr Støre, pas telefonatës që këta të fundit patën më herët gjatë ditës me presidentin rus, Vladimir Putin. Lajmi u bë i ditur nga një këshilltar i Zelenskyt.

Presidenti finlandez, Alexander Stubb, konfirmoi se ai dhe kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Støre, zhvilluan një telefonatë që e cilësoi si “të mirë” me Zelenskyn, pas bisedës së tyre me liderin rus, transmeton Telegrafi.

Sipas zyrës së presidentit finlandez, gjatë telefonatës me homologun ukrainas, Stubb dhe Støre riafirmuan se Finlanda dhe Norvegjia do të vazhdojnë mbështetjen e tyre të kahershme për Ukrainën, në një kohë kur vendi po përballet me agresionin rus.

Dy liderët evropianë bënë gjithashtu thirrje për përfundimin e luftës dhe rifillimin e negociatave, duke theksuar rëndësinë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund konfliktit.

Ndërkohë, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, konfirmoi edhe telefonatën e mëhershme mes Putinit, Stubb dhe Støre.

Bisedat e njëpasnjëshme vijnë në një kohë kur kontaktet diplomatike lidhur me luftën në Ukrainë vazhdojnë, ndërsa Finlanda dhe Norvegjia kanë përsëritur qëndrimin e tyre në mbështetje të Kievit. /Telegrafi/