
Gazetarja e Klan Kosovës, Arbreshë Uka i ka drejtuar pyetje kryeministrit Albin Kurti jo si një gazetare, por si një grua e Republikës së Kosovës, pas vrasjes së rëndë të Arlinda Zekajt nga dora e kunatit të saj.
“Kryeministri Kurti, një pyetje të lutem. Jo si gazetare, si qytetare e Republikës, si një grua e Republikës. Rasti i Arlindës na tregoi që, nuk po dua të tingëlloj aspak kanunore, të jemi të qartë, por nëse nisemi në kontekstin kanunor personalisht nuk kam vëlla dhe babai im nuk jeton më. Rasti i Arlindës na tregoi që nuk mjafton me qenë e fuqishme dhe zëshme. Ajo ka pasur zë, ajo ka ndjekur të gjitha proceset dhe hapat e institucioneve, ka ditur drejtshkrim se shumica e zyrtarëve të shtetit fatkeqësisht, ka lënë alarm. Kush me na mbrojt neve kryeministër përballë një situatë tillë, që nuk po kërkojmë asgjë më shumë se dinjitet, fëmijët, dhe pronën që kemi investuar? Kush me na mbrojtë”, shtroi pyetjen Uka.
Ndërkohë, Kurti deklaroi se ka më pak se 54 orë që Ministria e Punëve të Brendshme dhe ajo e Drejtësisë që t’ia sjellin raportin për të ndriçuar këtë rast, raporton Klankosova.tv.
“Drejtësinë nuk e kemi të drejtë, për të mos thënë që drejtësinë e kemi të shtrembër. Kemi nevojë ta drejtojmë drejtësinë. Kjo do të thotë hetim hetuesve, aktakuza prokurorëve. Në këtë frymë, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Ministria e Drejtësisë i kanë edhe 54 orë që të ma sjellin raportin për të ndriçuar këtë rast deri në fund, edhe ku kanë dështuar secila prej hallkave të zinxhirit institucional, por edhe çka po ndodh me të gjitha rastet e ngjashme, sepse ju e dini që ka shumë raste anë e mban Kosovës ku gra të caktuara, të cilat janë viktima të dhunës, vazhdojnë të jenë në rrezikun e kërcënuesve, të vjetër e të rinj”, u shpreh ai.