Kylian Mbappe ka kërkuar falje publike ndaj popullit kinez, pas reagimit të ashpër që shkaktoi një deklaratë e tij gjatë një interviste, në të cilën iu referua Mao Ce Dunit si diktator.
Ylli francez reagoi zyrtarisht, duke pranuar se komenti i tij ishte i pamenduar mirë dhe se tashmë e kupton se fjalët e tij kanë lënduar shumë njerëz në Kinë dhe komunitetet kineze në mbarë botën.
“Gjatë një interviste të fundit, reagova ndaj një fotografie timen. Komenti im ishte i pamenduar mirë dhe tani e kuptoj se ai ka lënduar shumë njerëz në Kinë dhe në komunitetet kineze në mbarë botën”.
“U kërkoj falje të gjithëve që janë shqetësuar nga fjalët e mia. Ky nuk ishte aspak qëllimi im. Kam respekt të madh për popullin kinez dhe historinë e tij. Më vjen sinqerisht keq”, deklaroi Mbappe.
Reagimi i sulmuesit vjen në një kohë kur çështja ka shkaktuar polemika të mëdha në Kinë.
Sipas raportimeve të mediave kineze, përfshirë The Paper, transmetuesi shtetëror CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligës pas reagimeve negative ndaj deklaratës së futbollistit të Real Madridit.
Po ashtu, aplikacionet informative të CCTV-së nuk kanë më përmbajtje që lidhet me Mbappen.
Mao Ce Duni ishte revolucionari komunist që themeloi Republikën Popullore të Kinës në vitin 1949 dhe e udhëhoqi vendin deri në vdekjen e tij, më 1976.
Ai mbetet figurë historike tejet e rëndësishme, por edhe kontroverse, për shkak të politikave të tij dhe pasojave të rënda që ato patën në shoqërinë kineze./Telegrafi/