
Avokati Musa Damati ka komentuar rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, për të cilën dyshohet kunati i saj, duke thënë se rasti dëshmon mungesë të koordinimit ndërmjet institucioneve.
Në emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Damati foli për mënyrën e trajtimit të kërkesave urgjente nga institucionet e drejtësisë.
“Duhet të kemi filtra gjyqësorë, duhet të kemi filtra në aspektin institucional të vendimmarrjes. Kush janë këta udhëheqës, drejtues të institucioneve? Si është e mundur që të enjten të dorëzohet një kërkesë urgjente në Prokurorinë e Shtetit dhe ajo të arrijë tek të hënën në gjykatën kompetente? Kemi të bëjmë me një çakordim total midis institucioneve, me një mungesë të sinkronizimit profesional ndërinstitucional. Paramendojeni, neve të na sulmojë armiku të premten ose të shtunën dhe të na zërë të papërgatitur deri të hënën”, tha avokati në Klan Kosova.