Shkolla profesionale “Gjin Gazulli” në Prishtinë është përuruar me hapësira të reja dhe laboratorë të pajisur për mësim praktik në fushën e teknologjisë, elektronikës dhe energjisë së ripërtëritshme.
Sipas njoftimit të Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, projekti kap vlerën e 4.3 milionë eurove dhe është realizuar në bashkëpunim me partnerët nga Luksemburgu.
Shkolla e re ka 16 laboratorë të informatikës, një laborator të energjisë së ripërtëritshme dhe një laborator për teknologjinë “Smart Home”. Ajo është pajisur edhe me 26 tabela interaktive dhe ofron nëntë profile profesionale.
Në këto hapësira, rreth 750 nxënës do të kenë mundësi të zhvillojnë njohuritë dhe aftësitë e tyre përmes mësimit praktik, eksperimentimit dhe punës me teknologji. Sipas Drejtorisë së Arsimit, nxënësit do të kenë mundësi të fitojnë përvojë praktike edhe në kompani.
Drejtoria e Arsimit ka vlerësuar se shkolla e re krijon mundësi për më shumë praktikë, zhvillim të aftësive profesionale dhe përgatitje të nxënësve për tregun e punës. /Telegrafi/