Në Komisionin për Mjedis, Planifikim Hapësinor, Ushqim, Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Transport është miratuar në parim Projektligji nr. 11/L-022 për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Pylltarisë.
Kryesuesi i komisionit, Arsim Ademi, gjatë prezantimit të projektligjit, tha se ai përbëhet nga 14 nene dhe ka për qëllim organizimin dhe funksionimin e këtij inspektorati.
“Ky ligj përbëhet nga 14 nene dhe ka për qëllim organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Pylltarisë. Ky është në bazë të Ligjit nr. 08/L-067 për Inspektimet, i cili parasheh këtë lloj forme të organizimit për të gjitha ministritë, ku secila ministri, përkatësisht ministritë, cilat prej ministrive, cilat prej inspektorateve qendrore parashihen në kuadër të ministrive në këtë rast është Inspektorati Qendror i Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinarisë dhe Pylltarisë që, nëse e shohim ligjin, është si agjenci ekzekutive në kuadër të ministrisë, edhe që kanë të bëjnë me këto fusha: domethënë bujqësisë, sigurisë ushqimore, veterinarisë dhe pylltarisë”, deklaroi Ademi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se sipas opinionit të Ministrisë së Financave për vlerësimin e ndikimit buxhetor, projektligji parasheh kosto shtesë për buxhetin e shtetit.
“Gjithashtu, sa i përket opinionit për vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave, thuhet se ky projektligj do të ketë kosto shtesë buxhetore në shumën prej 69,664 euro, mbi ndarjet buxhetore të alokuara me Ligjin për Buxhetin, që do të jetë adresa për vitet 2027–2028 për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural”, theksoi Ademi.
Anëtari i komisionit nga Lëvizja Vetëvendosje, Filiz Mustafa tregoi rëndësinë e këtij projektligji.
“Risia e këtij ligji nuk është vetëm bashkimi i gjithë inspektorateve, sepse e kam parë që ka pasur adresim edhe në opinionin publik, por risia më e madhe e projektligjit është që rregullohet me ligj të veçantë edhe jepet ligji i veçantë, ia jep statutin e agjencisë ekzekutive, domethënë strukturës qendrore dhe lokale të inspektoratit. Ne e dimë se sa e nevojshme, sidomos për sigurinë ushqimore dhe elementet e tjera të sigurisë që ndërlidhen me jetën e qytetarëve është inspektorati i sigurisë ushqimore. Kështu që, e mbështesim si grup këtë projektligj dhe mendoj që do të kemi hapësirë që edhe në mes dy leximeve të kontribuojmë edhe me plotësim ndryshime të tjera të nevojshme”, tha ai./EO
Burimi: Dukagjini
