Holanda tërhiqet sërish nga Eurovision 2027

Holanda tërhiqet sërish nga Eurovision 2027

Written by

in

Holanda ka vendosur të mos marrë pjesë në Eurovision 2027, vetëm një muaj pasi kishte njoftuar rikthimin në garën muzikore që do të mbahet në Bullgari.

Vendimi është marrë për shkak të ndasive që pjesëmarrja e Izraelit po shkakton në shoqëri dhe mes transmetuesve publikë holandezë.

Transmetuesi publik NPO njoftoi se, pas konsultimeve me përfaqësuesit e mediave publike, nuk është gjetur mbështetja e mjaftueshme për pjesëmarrjen e vendit në edicionin e ardhshëm.

Foto: EPA-EFE

Në fund të shtatorit, Holanda kishte konfirmuar rikthimin në garë, pasi transmetuesi AVROTROS kishte njoftuar më herët tërheqjen, duke vlerësuar se Eurovisioni nuk ishte më një ngjarje neutrale.

Njoftimi për rikthimin kishte shkaktuar reagime, ndërsa më shumë se 400 punonjës të mediave publike i kishin dërguar NPO-së një letër kundërshtimi.

Kryetarja e bordit të NPO-së, Jet de Ranitz, tha se e kupton zhgënjimin e fansave, por theksoi se aktualisht është shumë herët për pjesëmarrjen në vitin 2027.

Ndërkaq, drejtori i medias në NPO, Jurre Bosman, deklaroi se pjesëmarrja e Izraelit po shkakton debate dhe përçarje, si në shoqëri, ashtu edhe mes punonjësve të transmetuesve.

– YouTube www.youtube.com

Pavarësisht tërheqjes, publiku holandez do të mund ta ndjekë garën përmes transmetuesit NOS, i cili do të transmetojë gjysmëfinalet dhe finalen me komentim në gjuhën holandeze.

Eurovision 2027 do të mbahet në qytetin Burgas të Bullgarisë, me gjysmëfinalet më 11 dhe 13 maj, teksa finalja është planifikuar për 15 maj.

Holanda nuk është vendi i vetëm që ka vendosur të mos marrë pjesë në garë. Irlanda ka njoftuar gjithashtu bojkotin, derisa transmetuesi publik çek është tërhequr për arsye buxhetore.

Në Spanjë, drejtues të transmetuesit publik kanë shprehur mbështetje për një bojkot të mundshëm. /Telegrafi/