“Superpuna” sërish me probleme teknike, institucionet konfirmojnë pamundësinë e realizimit të kërkesave

“Superpuna” sërish me probleme teknike, institucionet konfirmojnë pamundësinë e realizimit të kërkesave

Written by

in

“Superpuna” sërish me probleme teknike, institucionet konfirmojnë pamundësinë e realizimit të kërkesave

Platforma shtetërore e punësimit “Superpuna” po përballet sërish me probleme teknike, të cilat po pengojnë realizimin e kërkesave të përdoruesve. Vështirësitë janë konfirmuar edhe nga Agjencia e Punësimit e Republikës së Kosovës (APRK), e cila ka pranuar se platforma aktualisht nuk po mundëson kryerjen e disa shërbimeve.

Gazeta Sinjali ka siguruar një përgjigje zyrtare të dërguar më 22 tetor nga ekipi i APRK-së dhe platformës “Superpuna”, ku konfirmohet se problemet teknike po pamundësojnë trajtimin e kërkesave.

“Ju njoftojmë se aktualisht platforma Superpuna është duke u përballur me disa probleme teknike, për shkak të të cilave për momentin nuk mund të realizohet kërkesa juaj”, thuhet në përgjigjen zyrtare.

Në të njëjtin komunikim, institucioni ka njoftuar se ekipi përgjegjës është duke punuar për eliminimin e problemeve, por nuk ka dhënë ndonjë afat konkret për rikthimin e funksionalitetit.

“Ekipi përkatës është duke punuar për adresimin e këtyre problemeve dhe ju lutemi të provoni përsëri pas një kohe”, thuhet tutje në përgjigje.

Kjo situatë ngre shqetësime për bizneset dhe punëkërkuesit që varen nga funksionimi i platformës, veçanërisht kur realizimi i procedurave kërkon respektimin e afateve të caktuara.

Problemet me “Superpunën” nuk janë të panjohura. Edhe gjatë muajve të mëparshëm janë raportuar vështirësi në regjistrimin e punëtorëve dhe shqetësime të bizneseve lidhur me funksionimin e sistemit.

Platforma “Superpuna” është krijuar për të mbështetur punësimin e të rinjve, duke ndërmjetësuar ndërmjet punëdhënësve dhe punëkërkuesve dhe duke ofruar subvencionim të pagave sipas kushteve të programit.

Megjithatë, përgjigjja e fundit institucionale ngre një çështje të rëndësishme: çfarë ndodh me kërkesat dhe afatet e përdoruesve kur vetë platforma shtetërore nuk ua mundëson kryerjen e procedurave?

Në komunikimin e siguruar nga Sinjali nuk sqarohet nëse do të ketë zgjatje të afateve, masa alternative për paraqitjen e kërkesave apo mekanizma për mbrojtjen e përdoruesve nga pasojat që mund të shkaktohen prej mosfunksionimit të sistemit.

Po ashtu, mbetet e paqartë nëse problemet e konfirmuara më 22 tetor janë eliminuar plotësisht.

Deri në sqarimin e këtyre çështjeve, bizneset dhe punëkërkuesit që hasin pengesa në platformë mbeten pa një afat të qartë për zgjidhjen e kërkesave të tyre.

Gazeta Sinjali ka siguruar komunikimin zyrtar të APRK-së, të datës 22 tetor 2026.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali