Gazetari Lirim Mehmetaj ka kritikuar Policinë për mënyrën se si ka vepruar në rastin e Arlinda Zekajt, duke pretenduar se institucionet kanë qenë në dijeni për moszbatimin e vendimit të gjykatës, por nuk kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme.
Mehmetaj, në “Debat Plus”, u shpreh se pavarësisht vendimit të gjykatës për çështjen e banimit dhe kujdestarisë së fëmijës, viktima nuk ishte lejuar të jetonte në shtëpinë për të cilën ishte marrë vendimi. Sipas tij, ajo kishte jetuar me djalin te familjarët e saj.
“Sado absurd që u duk vendimi i gjykatës, as ai vendim nuk është respektu. Përkundër që viktimës i është caktu me jetu në të njëjtën shtëpi, edhe pse e ka kujdestarinë, ajo nuk është leju me jetu në atë shtëpi – ajo bashkë me djalin ka jetu tek familjarët e saj”, u shpreh Mehmetaj.
Ai tregoi se Arlinda Zekaj, sipas tij, e kishte dërguar vullnetarisht djalin për të qëndruar me të atin dhe familjen e tij. Megjithatë, Mehmetaj thotë se në një rast, kur ajo kishte shkuar për ta marrë fëmijën pas vizitës, nuk i ishte lejuar ta merrte.
“Arlinda me vetë dëshirë gjithmonë e kishte pas dërguar djalin të qëndrojë tek babai i tij, por edhe tek familja e babait. Një ditë kur ajo ka shku me marrë djalin pas vizitës, ata nuk e kanë leju dhe nuk ia kanë dhënë. Policia e ka ditë se nuk është duke u zbatu vendimi i gjykatësit dhe fillimisht këtu ka dështu Policia”, deklaroi ai.
Mehmetaj ngriti gjithashtu pretendime për veprimet e Policisë pas kthimit të Zekajt në shtëpi. Sipas tij, aty ndodhej edhe kunati i saj, i cili nuk ishte banor i shtëpisë, por Policia nuk e kishte larguar.
“Kur Policia e ka kthyer në shtëpi tashmë viktimën, aty në shtëpi ka qenë një person që s’ka qenë banor, ka qenë kunati. Policia e ka ditë që është aty dhe nuk e ka largu – kjo është bashkëkryerje e veprës, nuk kemi të bëjmë më me neglizhencë”, tha Mehmetaj.
Mehmetaj, mes tjerash, kërkoi përgjegjësi institucionale për rastin, duke kritikuar edhe Qeverinë dhe ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, lidhur me përgjegjësinë për udhëheqjen e Policisë.
“Këto janë institucionet e një shteti ku përgjegjësi duhet të ketë patjetër – unë e di që partia në pushtet e ka kriju një strategji që fatkeqësisht i funksionon me i ndërru fjalët sa herë që janë gabim. Po ashtu e kemi një deklarim tjetër të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që thotë se Policia udhëhiqet prej ministrit e prapë kanë dështuar”, u shpreh Mehmetaj.
Burimi: Dukagjini
