
Zgjedhjet e para kombëtare në Izrael që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023 kanë përfunduar pa një rezultat përcaktues, duke e lënë vendin përballë pasigurisë politike. Sondazhet e daljes nga votimi sugjerojnë se asnjëri nga dy blloqet kryesore politike nuk ka siguruar shumicën e nevojshme për të formuar qeverinë.
Projeksionet e publikuara nga televizionet kryesore izraelite tregojnë se as blloku i kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe as ai i rivalit të tij kryesor, ish-shefit të ushtrisë Gadi Eisenkot, nuk kanë arritur të sigurojnë 61 vendet e nevojshme për shumicën parlamentare në Knesset.
Rezultati i paqartë pritet ta zgjasë procesin e negociatave politike, ndërsa formimi i qeverisë së re mund të kërkojë javë të tëra bisedimesh mes partive.
Ndërkohë, rezultatet paraprake tregojnë se krahu i djathtë ka shënuar rënie në raport me pritshmëritë e fushatës. Në shtabin e partisë së ekstremit të djathtë Otzma Yehudit (Fuqia Hebraike), e udhëhequr nga ministri i Sigurisë Publike, Itamar Ben-Gvir, mbizotëroi heshtja pasi projeksionet televizive i dhanë partisë vetëm rreth gjashtë ose shtatë mandate.
Ky rezultat do të ishte dukshëm më i ulët se ai i zgjedhjeve të kaluara, kur aleanca kishte fituar 14 mandate.
“ N uk kam fjalë. Shpresoj se gabohen, sondazhet ndryshojnë gjithmonë, por e di që duhet të jesh edhe realist”, u shpreh Ran Levy, një aktivist i Ben-Gvir.
Megjithatë, projeksionet e bazuara në sondazhet e daljes nga votimi nuk janë rezultate përfundimtare dhe mund të ndryshojnë gjatë numërimit të fletëvotimeve.
Ekspertët paralajmërojnë se këto sondazhe mund të përmbajnë gabime, ndaj përbërja e re e Knesset-it dhe balanca përfundimtare e forcave politike do të përcaktohen vetëm pas publikimit të rezultateve zyrtare.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali