Qytetarët e Serbisë vazhdojnë të festojnë fitoren e Listës Studentore, por njëkohësisht presin me padurim vendimet e para që do të sillnin ndryshime politike dhe institucionale. Pas 14 vjetësh në pushtet të Partisë Përparimtare Serbe, shumë qytetarë shpresojnë se do t’i jepet fund korrupsionit, presioneve politike dhe kontrollit mbi institucionet dhe mediat.
Sipas rezultateve preliminare, Lista Studentore ka fituar 140 nga 250 mandatet në Kuvend, ndërsa lista e Aleksandar Vuçiqit 104. Pakënaqësia shumëvjeçare, e cila u shndërrua në protesta masive pas tragjedisë në Novi Sad, tashmë është kthyer në shumicë parlamentare.
“Studentët fituan dhe tani na presin vetëm ditë më të mira. Nuk ka më kthim prapa”, tha një qytare.
Kursr qytetari tjetër i intervistuar tha se pret që qeveria e re të formohet sa më shpejt.
“T’ia nisim punës dhe t’ua kthejmë shtetin qytetarëve”, tha ai.
Pas fitores së Listës Studentore, qytetarët larguan tendat dhe gardhet nga Parku i Pionierëve, përballë Presidencës së Serbisë. Për më shumë se një vit, aty ishte vendosur kampi i mbështetësve të Vuçiqit, që ishte bërë simbol i tensioneve politike gjatë protestave studentore. Qytetarët e pastruan parkun dhe festuan me këngë e valle rikthimin e tij në përdorim publik.
Megjithatë, pakënaqësia ndaj mediave që prej vitesh mbështesnin pushtetin shpërtheu në incidente. Një grup qytetarësh hynë në studiot e televizionit Informer, të njohur për mbështetjen ndaj Vuçiqit dhe të kritikuar për propagandë, dezinformim dhe shkelje të etikës gazetareske. Programi u ndërpre, ndërsa jashtë pati përplasje me policinë. Protesta u mbajtën edhe para televizionit Pink dhe transmetuesit publik RTS. Lista Studentore u distancua nga incidentet dhe bëri thirrje për qetësi dhe përmbajtje nga dhuna.
“Zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar, rezultatet nuk janë shpallur. Duhet të ruajmë dinjitetin deri në fund. Mos përdorni asnjë formë dhune. Këtë jua kërkon Lista juaj Studentore dhe lëvizja juaj studentore”, tha Ilija Srdanoviq, nga Lista Studentore.
Ndërkohë, kanë nisur edhe ndryshimet e para në media. Kryeredaktori i programit të parë të Radio-Televizionit të Vojvodinës dha dorëheqje, ndërsa ky transmetues publik kërkoi falje për raportimin e njëanshëm gjatë viteve të kaluara.
Por dita pas zgjedhjeve kaloi kryesisht në atmosferë festive. Me ftesë të studentëve, mijëra qytetarë festuan në sheshin Slavija të Beogradit, si dhe në qytete të tjera të Serbisë. Studentët bënë thirrje për festë pa dhunë, duke porositur se koha e përgjegjësisë ende po vjen.
Pas gati dy vjetësh protestash, qytetarët kanë pritje të mëdha nga pushteti i ri. Ata presin luftë kundër korrupsionit, institucione të pavarura dhe përgjegjësi për abuzimet. Tani mbetet të shihet nëse fitorja e studentëve do të sjellë edhe ndryshimet që qytetarët kanë kërkuar në rrugë.
Burimi: RTKLive
