E njohur për format e saj trupore në formë ore rëre dhe paraqitjet e guximshme në tapetin e kuq, Kim Kardashian është mësuar të jetë në qendër të vëmendjes. Këtë herë, megjithatë, ajo e mori shprehjen “të gjithë sytë nga ajo” në një kuptim më të drejtpërdrejtë.
Ylli 46-vjeçar u shfaq më herët gjatë ditës në Romë, e veshur me një fustan pa rripa, me motive pikash, ndërsa pozonte për fotografët e shoqëruar nga dy qen dalmatinë. Kardashian ndodhet në kryeqytetin italian për të promovuar sezonin e dytë të serialit dramatik me temë ligjore “All’s Fair”.
E stiluar nga Law Roach, sipërmarrësja dhe ylli televiziv bëri një zgjedhje të guximshme me këtë veshje haute couture, e cila përfshinte prerje të theksuara në pjesën e ijeve dhe një fund dramatik. Pamjen e kompletoi me këpucë me taka nga Jimmy Choo.
Kardashian zgjodhi të mos mbante bizhuteri, ndërsa flokët e saj të errët i kishte mbledhur në një bisht të lartë, duke ia lënë gjithë vëmendjen veshjes.
Në këtë paraqitje ajo u shoqërua nga koleget e saj të serialit, Sarah Paulson, Niecy Nash dhe Naomi Watts.
Motivet shtazarake duket se janë kthyer në temën kryesore të turneut promovues të Kardashianit. Javën e kaluar, në premierën e serialit, ajo u shfaq me një fustan vintage të Yves Saint Laurent, me motive leopardi, nga koleksioni i vitit 1998.
Seriali “All’s Fair” do të jetë i disponueshëm në Disney+ nga 4 nëntori. Kardashian rikthehet në rolin e Allura Grantit në këtë dramë ligjore të platformës Hulu, e cila zhvillohet në një firmë ligjore në Los Angeles, të specializuar në sigurimin e dëmshpërblimeve të mëdha për klientet e saj gra.
Seriali, i krijuar nga Ryan Murphy, ka gjithashtu në kast Glenn Close dhe Niecy Nash. Kjo e fundit tërhoqi vëmendjen me format e saj trupore, e veshur me një fustan saten rozë.
Pavarësisht kastit të njohur dhe fushatës së gjerë promovuese, sezoni i parë i “All’s Fair” u prit me kritika të ashpra, me disa recensentë që e cilësuan si një “krim kundër televizionit”.
Kritiku televiziv i Daily Mail, Christopher Stevens, i dha sezonit të parë vlerësimin minus tri yje, duke e përshkruar si “një nga përvojat më të tmerrshme televizive” që kishte pasur ndonjëherë në tryezën e tij të punës.
Ben Dowell i The Times, në recensionin e tij me zero yje, shkroi se “ky mund të jetë seriali më i keq televiziv i realizuar ndonjëherë”. Ndërsa Kelly Lawler e USA Today e cilësoi atë, të paktën, si “serialin më të keq televiziv të vitit”.
Një pjesë e kritikave u drejtuan edhe ndaj Kardashianit, e cila është gjithashtu producente ekzekutive e serialit. Dowell vuri në pikëpyetje aftësitë e saj në interpretimin e një avokateje, duke përdorur një krahasim të ashpër për të vënë në pah atë që ai e konsideronte performancën e saj jo bindëse.
Edhe Angie Han e The Hollywood Reporter e kritikoi interpretimin e saj, duke e përshkruar si të ngurtë dhe pa emocione autentike, një vlerësim që, sipas saj, vlente edhe për skenarin.
Lucy Mangan e The Guardian e nisi recensionin e saj duke shprehur habinë se si ishte ende e mundur të realizohej një serial kaq i dobët. Ajo e përshkroi “All’s Fair” si një prodhim “fascinueshëm, në mënyrë të pakuptueshme dhe ekzistencialisht të tmerrshëm”.
Ndër të paktët kritikë që i dhanë serialit një yll ishte Ed Power i The Telegraph. Megjithatë, edhe recensioni i tij ishte tejet kritik, duke ia atribuar përgjegjësinë krijuesit Ryan Murphy.
“Ryan Murphy është kryeprifti i televizionit të lirë dhe pa shije, dhe këtë vit e ka tejkaluar veten me një serial që sjell një tmerr të jashtëzakonshëm, të aftë të shkaktojë makthe te shikuesit e papërgatitur”, shkroi ai. /Telegrafi/