Qeveria mirartoi disa projektligje –  propozon edhe 15 anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës

Qeveria mirartoi disa projektligje -  propozon edhe 15 anëtarë të Këshillit Kombëtar të Shkencës

Written by

in

Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar sot mbledhje të rregullt, në të cilën ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ekstradim.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky projektligj ndërlidhet me prioritetet e Qeverisë për forcimin e sundimit të ligjit, avancimin e bashkëpunimit juridik dhe rritjen e efikasitetit në luftimin e kriminalitetit.

“Ratifikimi i Marrëveshjes kontribuon në zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e së drejtës penale dhe lehtësimin e procedurave ndërmjet dy vendeve. Gjithashtu, projektligji i shërben integrimit evropian. Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale. Ky projektligj ka për qëllim të kontribuojë në arritjen e objektivave për fuqizimin e sundimit të ligjit, avancimit të mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe rritjen e bashkëpunimit juridik me shtetet e tjera”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Qeveria gjithashtu miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, për Transferimin e Personave të Dënuar, i cili ka për qëllim forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit juridik ndërkombëtar në çështjet penale në mes të Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Suedisë, si dhe lehtësimin e procedurës ligjore mes tyre në këtë fushë.

“Miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Traktatit për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështje Penale, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Belgjikës. Qëllimi i këtij projektligji është ratifikimi i traktatit me Belgjikën për forcimin e mëtejmë të bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike në çështjet penale, duke përfshirë ofrimin e dokumenteve, të dhënave, informacioneve, sendeve, ekzekutimin e kërkesës për bastisje apo sekuestrim, komunikimin e të dhënave gjyqësore, marrjen e deklaratave, zbatimin e urdhrave për konfiskim, transferimin e përkohshëm të personit në paraburgim, si dhe krijimin e ekipeve të përbashkëta hetimore. Miratuar Raportin për Vlerësimin Ex-Post të Ligjit Nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës”.

Gjithashtu në këtë mbledhje është miratuar edhe vendimi me të cilin Qeveria e Republikës së Kosovës i propozon Kuvendit të Republikës së Kosovës për emërim anëtarët e Këshillit Kombëtar të Shkencës, në këtë përbërje:

1. Aliriza Arënliu, Psikologji;

2. Arbnora Dushi, Folkloristikë;

3. Armond Daci,Farmakologji;

4. Arven Syla, Energjetikë;

5. Besnik Krasniqi, Ekonomi dhe Ndërmarrësi;

6. Emine Kalaja-Hajdari, Histori;

7. Fetah Podvorica, Elektrokimi;

8. Ibrahim Krasniqi, Ekonomi dhe Menaxhim;

9. Majlinda Bregasi, Gjuhësi;

10. Mentor Alishani, Veterinari;

11. Mihone Kerolli-Mustafa, Inxhinieri Mjedisore;

12. Mimoza Ibrani, Telekomunikacion;

13. Myzafere Krasniqi-Limani, Elektronikë;

14. Tringa Dedi, Pedagogji;

15. Valmir Krasniqi, Matematikë.

Më poshtë i keni projektligjet tjera të miratuar në mbledhjen e Qeverisë:

Miratuar Raportin për Gjendjen e Mjedisit në Kosovë, për vitin 2025, i cili do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Miratuar vendimin përfundimtar për shpronësimin për interes publik të pronave të paluajtshme, strukturave (objekteve të banimit, objekteve përcjellëse dhe ekonomike), kulturave bujqësore dhe investimeve të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit “Ndërtimi i Rrugës Korishë — Kabash – Lidhja me Rrugën Rajonale R-118”, Zonat Kadastrale: Lubizhdë, Skorobishtë, Korishë dhe Kabash, Komuna e Prizrenit.

Miratuar vendimin preliminar për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit të cilat preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Rrugës Tranzit në Klinë, nga N9 deri R-1041 Klinë – Gurakoc”, Zona Kadastrale Klinë, Klinafc, Dollc dhe Dresnik, Komuna e Klinës.

Miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të pronarëve dhe zotëruesve të interesit, të cilat preken nga realizimi i projektit: “Ndërtimi i Autostradës Prishtinë – Gjilan – Dheu i Bardhë, Segmenti Banullë -Bresalc”, Zonat Kadastrale: Smallushë dhe Sllovi, Komuna e Lipjanit.

Miratuar kërkesën e Komunës së Prizrenit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 1,489,670.00€ (një milion e katërqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëqind e shtatëdhjetë euro), për realizimin e projektit “Efiçienca e Energjisë në Ndërtesa Publike në Prizren”, përmes Klauzolës së Investimeve, me qëllim të përmbushjes së obligimeve financiare që rrjedhin nga punët e realizuara, në përputhje me dinamikën e zbatimit të projektit.