Mbi 100 paraqitje me fanellën e Dritës, Blerim Krasniqi rrëfen lidhjen e veçantë me klubin dhe synimet për këtë sezon

Mbi 100 paraqitje me fanellën e Dritës, Blerim Krasniqi rrëfen lidhjen e veçantë me klubin dhe synimet për këtë sezon

Written by

in

Drita ka lënë pas një fillim të vështirë të sezonit dhe pas tri fitoreve radhazi në kampionat, synon ta vazhdojë serinë pozitive në garën për titullin e kampionit.

Sulmuesi Blerim Krasniqi, në një intervistë për Telegrafin, ka folur për formën e skuadrës, rikthimin e trajnerit Ardian Nuhiu dhe objektivat e klubit gjilanas, duke theksuar se beson në potencialin e ekipit për të arritur suksese këtë sezon.

Sa i përket paraqitjeve individuale, Krasniqi ka treguar se synon ta ndihmojë skuadrën me sa më shumë gola, ndërsa objektivin kryesor e sheh te triumfi në kampionat.

E pikërisht në ndeshjen e fundit të kampionatit të cilën Drita e fitoi me rezultat 3-0 në udhëtim ndaj Prishtinës në Hajvali, Krasniqi ishte autor i njërit prej golave, duke realizuar për epërsinë e gjilanasve dhe duke e çuar në tre totalin e golave të realizuar deri më tani.

“Deri në këto ndeshje kam shënuar tri gola. Shpresoj të shënoj sa më shumë gola, për ta ndihmuar skuadrën që të shkojë drejt objektivit tonë, titullit kampion”, ka deklaruar Krasniqi për Telegrafin.

Drita duket se ka gjetur ritmin e duhur pas një periudhe me rezultate jo të kënaqshme. Për sulmuesin gjilanas, njohja që trajneri Ardian Nuhiu ka për ambientin dhe futbollistët është një faktor që mund ta ndihmojë skuadrën të vazhdojë me rezultate pozitive.

“Trajneri e njeh mirë ambientin, ekipin dhe disa prej lojtarëve. Mendoj se jemi në rrugën e duhur dhe shpresoj të vazhdojmë kështu”, është shprehur ai.

Krasniqi vlerëson se Drita ka kualitetin dhe përvojën e nevojshme për t’u rikthyer në nivelin më të mirë, duke besuar se skuadra mund t’i përmbushë pritshmëritë në vazhdim të sezonit.

“Mendoj se ekipi ka kualitetin e duhur dhe shumë përvojë brenda grupit për t’u rikthyer te forma jonë më e mirë”, ka theksuar sulmuesi.

Për Krasniqin, Drita është bërë një ambient i veçantë, ku është përshtatur mirë dhe ka krijuar përvojë të rëndësishme gjatë tri sezoneve të fundit. Me mbi 100 paraqitje me fanellën gjilanase, ai shpreson që bashkë me bashkëlojtarët të vazhdojë të shkruajë histori suksesi me klubin.

“Ka kaluar një kohë e gjatë që jam pjesë e Dritës dhe jam shumë i kënaqur me ekipin. Jam ambientuar mirë. Është një klub me tradita dhe shumë suksese. Shpresoj që së bashku të arrijmë përsëri gjëra të mëdha në kampionat, por edhe në Evropë”, ka thënë Krasniqi.

Në fund, sulmuesi ka bërë të qartë se ambiciet e Dritës nuk kufizohen vetëm te garat vendore. Klubi gjilanas synon ta fitojë titullin e kampionit dhe të përfaqësohet denjësisht në garat evropiane, ashtu si në sezonin e kaluar.

“Objektivat tona dihen: titulli kampion dhe një paraqitje dinjitoze në Evropë, si vitin e kaluar”, ka përfunduar Blerim Krasniqi për Telegrafin.

Kujtojmë se xhiron e ardhshme Drita do të jetë nikoqire e Vushtrrisë, me duelin që do të zhvillohet në kuadër të javës së 12-të të elitës së futbollit kosovar./Telegrafi/