Eleanor Cobham, Dukesha e Glosterit, dukej e destinuar të bëhej mbretëreshë e Anglisë. Pastaj u shpall fajtore për nekromanci, herezi dhe shtrigëri, një skandal që u bë katalizator për Luftërat e Trëndafilave. A ishte ajo sataniste intrigante apo një figurë shahu në politikë? Një roman i ri rrëfen historinë e saj.
Nga: Deborah Nicholls-Lee / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com
Në vitin 1441, Eleanor Cobham ishte bashkëshortja e Dukës së Glosterit – Humphrey i Lankasterit, trashëgimtar i pritshëm i mbretit të dobët dhe pa fëmijë, Henry VI. Mundësia për t’u bërë mbretëreshë ishte joshëse dhe shumë pranë. Por, teksa ndikimi i Humphreyt në oborr zbehej, dolën akuzat se Eleanora i ishte kthyer arteve të errëta për të përforcuar të drejtën e tij për trashëgiminë e fronit. Këto çuan në shpalljen e saj fajtore për shtrigëri, me karakter tradhtie, gjë që u bë skandali i shekullit dhe krijoi hapësirë për pretendime rivale ndaj fronit.
Tani, ritregimi letrar i historisë së Eleanor Cobhamit nga Philippa Gregory, në romanin Shtriga mbretërore [Royal Witch], po e vë në qendër të vëmendjes një grua që mbahet mend për ambicien dhe bukurinë e saj, por që u bë figurë përçarëse. Disa besojnë se provat kundër shtrigës së parë dhe të vetme mbretërore të Anglisë, të shpallur fajtore, ishin falsifikuar dhe se ajo ishte figurë shahu në një lojë politike, por Gregory paraqet një figurë më të pamëshirshme, e cila ishte vetë autore e fatit të saj.
“Ajo iu dorëzua tundimit për të përdorur shtrigërinë për ta vrarë mbretin dhe për ta vendosur veten, përmes bashkëshortit të saj, në fronin e Anglisë”, thotë autorja. “Ajo është një nga ato gra shumë, shumë të rralla të akuzuara për shtrigëri e që në të vërtetë e praktikonin shtrigërinë”.
Për disa, kjo ish-damë oborri, e cila ia mori bashkëshortin zonjës së saj, Konteshës së Hejnosë, Jacquelines, teksa ende ishte në shërbimin e saj, ishte figurë e dyshimtë që në fillim – një ndërhyrëse e paskrupullt, mënyra e bujshme e jetesës të së cilës shkaktonte pakënaqësi të mëtejshme. Asaj duhej treguar vendin.
Interesi i Eleanorës dhe Humphreyt për të mbinatyrshmen ishte i dukshëm nga biblioteka e gjerë e çiftit. Por, Këshillit të Mbretit i mbërritën zërat se Eleanora, e etur për t’u bërë mbretëreshë, kishte komplotuar për të parashikuar vdekjen e mbretit – së bashku, ndër të tjera, me gruan e ditur Margery Jourdemayne, të njohur si “Shtriga e Ait”, si dhe studiuesin e astrologun e nderuar Roger Bolingbroke. U ngrit një çështje për tradhti.
Akuza të sajuara?
Nën drejtimin e gjysmëxhaxhait të Humphreyt dhe rivalit të tij të betuar, kardinalit Henry Beaufort, kundër Eleanorës u ngritën 18 akuza për nekromanci (thirrjen e shpirtrave të të vdekurve për të fituar njohuri të fshehta), herezi dhe shtrigëri. Mes tyre ishin sigurimi i ilaçeve magjike, porositja e një harte astrologjike për të parashikuar vdekjen e mbretit dhe krijimi i një figure prej dylli të mbretit për t’ia shkaktuar atij vdekjen. Ndoshta për t’u mbrojtur nga akuzat për tradhti dhe për të sugjeruar se magjia ishte thjesht për çështje shtëpiake, Eleanora pranoi se kishte siguruar nga Margery Jourdemayne ilaçe për dashuri dhe pjellori.
Për shumë historianë, këto ishin akuza të sajuara me motive politike. Siç vëren Gemma Hollman në librin e saj Shtrigat mbretërore: Nga Xhoana e Navarit te Elizabeta Vudvili [Royal Witches: From Joan of Navarre to Elizabeth Woodville, 2019], parashikimi astrologjik për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të rëndësishme “nuk ishte aspak veprimtari e pazakontë, madje as mes familjeve mbretërore”. Ajo vazhdon: “Nëse ajo vërtet provoi ilaçe dashurie për të lindur fëmijë, vështirë se mund të ketë qenë shumë ndryshe nga shumë gra të tjera në gjendjen e saj atë kohë”.
Një dorëshkrim i ilustruar i vitit 1431 që paraqet Eleanorën, Dukeshën e Glosterit, dhe bashkëshortin e saj Humphrey, Dukën e Glosterit(Alamy)
Disa komentues mendojnë se Eleanora meriton keqardhjen tonë. “Mendoj se ka diçka mjaft të trishtueshme në gjithë këtë”, i thotë BBC-së, Dr. Euan Roger, historian i Anglisë së Mesjetës së Vonë dhe të periudhës së Tudorëve, si dhe specialist kryesor i dokumenteve në Arkivin Kombëtar. “Mendoj se ajo që po ndodh në të vërtetë këtu, arsyeja pse ajo pranon fajësinë për disa prej akuzave të ngritura kundër saj, lidhur me shtrigërinë, është se po përpiqej të mbetej shtatzënë dhe po i drejtohej asaj që perceptohej si shtrigëri për ta arritur këtë”.
Akuza për përdorimin e një ilaçi dashurie i dha këshillit mbretëror pretekstin e përsosur për ta shpërbërë martesën e saj me trashëgimtarin e fronit, ndërsa akuzat për tradhti e bënë bashkëshortin e saj persona non grata. “Mendoj se ato [akuzat] janë fushatë përbaltjeje”, thotë Rogeri. “Eleanora është pikë shumë e dobët për bashkëshortin e saj. Dihet se ajo ka këto interesa okulte dhe anëtarët e këshillit e shohin këtë si mjet për të goditur bashkëshortin e saj”.
Sipas tij, provat kundër saj janë të pabesueshme. “Pjesa më e madhe e tyre vjen nga rrëfimi i Bolingbrokeut, i cili pothuajse me siguri bëhet publik për ta implikuar Eleanorën … [dhe] ai pothuajse me siguri po torturohet prapa skenave”.
Çështja kundër saj
Ndryshe, në romanin Shtriga mbretërore Eleanora nuk është vetëm nxitësja, por ndodhet në qendër të veprimit, duke gërvishtur shëmbëlltyrën e mbretit mbi figurën prej dylli dhe duke e vendosur atë mes tufëzave të flokëve të tij të errët e kaçurrelë. I shkruar në vetën e parë, libri e paraqet atë duke përdorur magjinë “jo vetëm për të pasur fëmijë … por, për të pasur një mbret, për ta shpëtuar vendin, për ta shpëtuar familjen mbretërore … për ta bërë veten të madhe”.
Për Gregoryn, çështja kundër Eleanorës është bindëse. “Ka shumë prova se po ndodhnin gjëra të cilat në atë kohë do të konsideroheshin shtrigëri dhe ndoshta satanizëm”, i thotë ajo BBC-së. Ajo vëren se Roger Bolingbroke “nuk e tërhoqi kurrë rrëfimin e tij” dhe beson se është domethënëse që të akuzuarit nuk protestuan për pafajësinë e tyre “në mënyrë më energjike”.
Ajo gjithashtu thekson se ky nuk është gjyq i zakonshëm për shtrigëri. “Ajo është në kulmin e suksesit të saj. Është dukeshë mbretërore. Gëzon shumë favorin e mbretit dhe është në radhë për të trashëguar fronin. Është në një pozitë me fuqi dhe ndikim të jashtëzakonshëm dhe nuk mendoj se dikush do të kishte vepruar kundër saj pa prova vërtet, vërtet bindëse”.
Gregory i jep Eleanorës një shkallë të madhe veprimi në romanin e saj. “Ajo është një grua jashtëzakonisht ambicioze që vërtet e ndërton vetë jetën e saj”, shpjegon ajo. Eleanora thotë në roman: “Dua të fitoj diçka për veten time. Të fitoj titullin tim, të fitoj pasurinë time, të fitoj tokat e mia. Do të doja ta bëja këtë me një burrë që dua, por jo që ai ta bëjë për mua”.
Drama historike e Shakespeareit “Henri VI”, Pjesa II, përfshin historinë e Eleanor Cobhamit – në Aktin I, Skena IV, thirren shpirtrat teksa ajo vështron(Alamy)
Te Shtriga mbretërore, kjo grua mbresëlënëse, e përshkruar nga një kronist i shekullit XV si “jashtëzakonisht e bukur dhe e këndshme”, manipulon burrat për ta çuar përpara pozitën e saj, shpesh duke fshehur përvojën e saj jetësore dhe zgjuarsinë në përputhje me pritshmëritë e tyre të ulëta. Duke shpresuar t’ia tërheqë vëmendjen Dukës Humphrey gjatë një kalërimi, ajo shtiret e cenueshme. “Jam kalorëse e zonja”, i rrëfen lexuesit, “… por, është më mirë të dukem e brishtë, që t’i nxis burrat drejt kalorësisë”.
Është taktikë që ajo përdor më vonë edhe në gjyq, duke u shtirur si “një grua e frikësuar, e pafajshme si një vajzë”. Në rrëfimin e Gregoryt, është gjithashtu ajo që nxit ambicien e bashkëshortit të saj. Ky karakterizim të kujton Henrin VI, Pjesën II të Shakespeareit, ku Eleanora e nxit Humphreyn: “Shtrije dorën tënde, kap arin e lavdishëm”.
“Një grua ambicioze”
Megjithatë, disa historianë sugjerojnë se ambicia dhe suksesi i Eleanorës nuk e bëjnë atë më pak viktimë në gjyq. “Ishte ambicia e Eleanorës ajo që e joshi drejt shkatërrimit”, shkroi medievisti Ralph Griffiths në esenë e tij të vitit 1969, Gjyqi i Elenor Kobamit [The Trial of Eleanor Cobham]. “Pika e dobët e Eleanor Cobhamit ishte interesi i saj për shtrigërinë dhe nekromancinë; kur ajo e ndërthuri këtë me ambicien politike, këto prirje të saj u shndërruan nga disa njerëz në tradhti”.
“Pjesa më e madhe e kësaj ka të bëjë me rrëzimin e një gruaje ambicioze”, pajtohet Rogeri. “Nëse shikoni më vonë te Edward IV dhe Elizabeth Woodville, shihni të qarkullojnë thashetheme të ngjashme [për shtrigëri] dhe mendoj se, sidomos deri në atë kohë, kjo është vërtet një mënyrë për të sulmuar gratë fisnike”.
Nëse ky ishte vërtet një gjyq spektakël, dënimet ishin sigurisht poshtëruese dhe makabre. Për rolin e Roger Bolingbrokeit në skandal, atë e çuan në një skenë ku, i veshur me një kurorë prej letre dhe i ulur në karrigen e tij të magjisë, i rrethuar me mjete magjike, u detyrua të hiqte dorë nga herezitë e tij. Disa muaj më vonë, ai u var, u tërhoq dhe u nda në katër pjesë, ndërsa koka e tij u ekspozua në Urën e Londrës. Margery Jourdemayne u dogj në turrën e druve.
Kisha, e cila e gjykoi Eleanorën së bashku me Këshillin e Mbretit, krijoi një shembull nga ajo. Dënimit me burgim të përjetshëm i paraprinë tri ditë pendese publike. Zbathur, e veshur vetëm me një këmishë të hollë dhe duke mbajtur një qiri të rëndë prej dylli, ajo u detyrua të ecte nëpër Londër në ditët më të ngarkuara të tregut.
Eleanor Cobham është subjekt i “Shtrigës mbretërore”, një roman historik nga Philippa Gregory(Alamy)
Megjithatë, pavarësisht mizorisë së treguar ndaj Eleanorës, Gregory refuzon ta paraqesë atë si viktimë dhe, edhe në robëri, zgjuarsia dhe guximi i saj e mahnitin lexuesin. “Mendoj se motivi i viktimës pasive është historikisht i pavlefshëm”, thotë ajo. “Kemi marrë këndvështrimin e viktorianëve për gratë … dhe, e kemi kthyer prapa përgjatë gjithë historisë, duke shpërfillur plotësisht shumicën e grave që janë aktive, të vendosura, të efektshme edhe në rrethana mjaft shtypëse, siç ishte martesa mesjetare”.
Qoftë i qëllimshëm apo i ekzagjeruar me dashakeqësi, përfshirja e Eleanorës me shtrigërinë ndihmoi në ndryshimin e rrjedhës së historisë. Gjyqi i paprecedentë i një fisnikeje bëri të nevojshëm legjislacion të ri, i cili më vonë do të përdorej kundër Anne Boleynit – duke i hapur rrugën Henryt VIII të martohej përsëri. Akuzat kundër Eleanorës – dhe turpërimi i Humphreyt për shkak të lidhjes së tij me të – e dobësuan Shtëpinë e Lankasterit, duke i hapur rrugë fraksionit rival, Shtëpisë së Jorkut, dhe duke përgatitur terrenin për Luftërat e Trëndafilave: tri dekada të konflikti të ashpër civil për fronin.
Prandaj, nuk është për t’u habitur që Gregory duket pothuajse e zhgënjyer që ambiciet politike të Eleanorës u shtypën. “Mendoj se do të kishte qenë mbretëreshë e mirë”, thotë ajo, duke vënë në dukje aftësitë e saj të mprehta në marrëdhëniet me publikun dhe përvojën e saj me konfliktet jashtë vendit. Eleanora mund të jetë “egotiste” dhe “narcisiste”, thotë romancierja, por “kjo është ajo që të duhet për të qenë mbretëreshë mesjetare”.
Siç rrëfen ajo në pasthënien e Shtrigës mbretërore: “Mua më pëlqen një grua që mund të shohë brenda errësirës së vet dhe të mos jetë as e frikësuar, as e penduar”. /Telegrafi/