Çfarë dihet deri më tani për përplasjen vdekjeprurëse të trenit në Spanjë?

Çfarë dihet deri më tani për përplasjen vdekjeprurëse të trenit në Spanjë?

Written by

in

Të paktën 30 persona kanë humbur jetën pas përplasjes së dy trenave në Spanjë, në jug të Madridit, të mërkurën në mëngjes. Autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet në vendngjarje.

Sipas operatorit hekurudhor Adif, aksidenti ndodhi mes një treni të kompanisë shtetërore Renfe dhe një treni të operatorit privat Iryo, i cili mbulon linjën Madrid–Sevilje.

Përplasja ndodhi pak pas orës 09:00, mes komunave Mora dhe Orgaz, rreth 140 kilometra në jug të Madridit. Sipas raportimeve fillestare, treni i Renfe-s goditi nga prapa trenin e Iryo-s, i cili dyshohet se kishte ndaluar në shina. Si pasojë, të paktën dy vagonë dolën nga shinat dhe ranë në një shpat.

Shkaku i aksidentit ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Një pasagjer i njërit prej trenave i tha mediave lokale se kishte ndier një goditje të fortë rreth 40 minuta pas nisjes së udhëtimit, transmeton Telegrafi.

Më shumë se 500 persona besohet se ndodheshin në të dy trenat. Sipas Esther Padilla-s, zëdhënëse e qeverisë së rajonit Castilla-La Mancha, treni i Iryo-s transportonte 146 pasagjerë dhe një foshnjë, ndërsa në trenin e Renfe-s ndodheshin 397 pasagjerë.

Emiliano García-Page, president i Castilla-La Mancha-s, konfirmoi se të paktën 30 persona kanë vdekur dhe paralajmëroi se bilanci mund të rëndohet më tej.

Pas aksidentit, qarkullimi hekurudhor në këtë linjë u ndërpre, ndërsa Renfe njoftoi se shërbimet mes Madridit, Ciudad Real-it dhe Andaluzisë mbeten të pezulluara.

Në vendngjarje janë angazhuar zjarrfikës, ekipe mjekësore dhe helikopterë. Spitalet në zonë kanë pezulluar operacionet e planifikuara për t’u përballur me fluksin e të lënduarve, ndërsa një qendër transfuzioni gjaku në Madrid ka bërë thirrje për dhurime urgjente, për shkak të rritjes së mundshme të nevojave për trajtim.

Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, tha se ishte i tronditur nga aksidenti dhe se po mbante kontakte të vazhdueshme me ministrin e Transportit dhe drejtuesit rajonalë. Ai theksoi se shërbimet e emergjencës po punojnë për të ndihmuar të prekurit dhe për të garantuar sigurinë e tyre.

“Ngushëllimet, solidariteti dhe mbështetja ime për të gjitha viktimat dhe familjet e tyre”, shkroi Sánchez në rrjetin social X.

Ai dhe politikanë të tjerë spanjollë anuluan angazhimet publike të së mërkurës, përfshirë aktivitetet e fushatës për zgjedhjet parlamentare të muajit të ardhshëm. Familja mbretërore spanjolle shprehu gjithashtu tronditjen dhe shqetësimin për ngjarjen, duke u dërguar ngushëllime familjeve të viktimave.

Bashkimi Evropian deklaroi se është i gatshëm ta ndihmojë Spanjën nëse do të jetë e nevojshme.

Ky është aksidenti i dytë i rëndë hekurudhor me trena të shpejtësisë së lartë në Spanjë këtë vit. Në janar, një tren doli nga shinat në jug të vendit dhe vagonët e tij të pasmë përfunduan në rrugën e një treni të Renfe-s, duke shkaktuar 46 viktima. /Telegrafi/