Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka ngritur shqetësimin lidhur me vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Në një takim me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ajo ka kërkuar nga aleatët e Kosovës që të tregojnë vëmendje të shtuar ndaj procesit të Apelit dhe të sigurohet respektimi i standardeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Përmes një postimi në Facebook, Musliu-Shoshi ka bërë të ditur se këtë çështje e ka ngritur gjatë takimit me delegacionin.
“Në takimin me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s, ngrita shqetësimin për vendimin e fundit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj udhëheqësve të UÇK-së. Nga aleatët tanë kërkova vëmendje ndaj procesit të Apelit dhe respektim të plotë të standardeve ndërkombëtare të drejtësisë. Drejtësi për Çlirimtarët!”, ka shkruar ajo.
Burimi: Dukagjini
