Aleksandar Vuçiq ishte i gatshëm të përdorte forcën për të qëndruar në pushtet pas humbjes në zgjedhje, por hoqi dorë nga ky plan pas disa telefonatave, pretendojnë për gazetën britanike The Times ish-komandanti i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë dhe disa politikanë. Zyra e Vuçiqit thotë se policia ishte dislokuar për shkak të kërcënimeve nga protestuesit.
Sipas tyre, Vuçiqi, pas 12 vjetësh në krye të Serbisë, ishte i vendosur të mos e dorëzonte pushtetin. Megjithatë, ai ndryshoi qëndrim kur u bë e qartë se Lista Studentore kishte marrë rreth 500 mijë vota më shumë në zgjedhjet parlamentare të së dielës dhe pasi kishte pranuar telefonata me paralajmërime që të mos i kundërshtonte rezultatet.
“Dërgoi 4.000 policë dhe 3.000 njerëz të dhunshëm në qendër të Beogradit të dielën për ta mbrojtur regjimin. Jam 100 për qind i sigurt se kishte planifikuar të refuzonte njohjen e rezultateve”, deklaroi për The Times Spasoje Vuleviq, ish-komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë.
Sandro Gozi, deputet i Parlamentit Evropian dhe kryetar i Partisë Demokratike Evropiane, tha se gjatë ditës së zgjedhjeve kishin mbërritur informacione shqetësuese.
“Të dielën morëm informacione alarmante nga burime diplomatike se Vuçiqi ishte i gatshëm të luftonte dhe të kryente grusht shteti”, deklaroi Gozi.
Edhe Radomir Saiçiq, një nga kandidatët kryesorë të Listës Studentore, për të cilin The Times shkruan se mund të marrë një post të rëndësishëm në qeverinë e ardhshme, pretendon se Vuçiqi kishte planifikuar përdorimin e forcës, por ndryshoi mendje në momentin e fundit.
“Ata kishin një plan për ta anuluar vullnetin e qytetarëve me forcë brutale, nëse rezultati do të ishte i ngushtë. Por kam informacione se ai mori shumë telefonata nga policia dhe qarqe të tjera, të cilat e shtynë të ndryshonte mendje. E bindën se zbatimi i këtij plani do të përfundonte shumë keq për të”, tha Saiçiq.
Ai pretendoi gjithashtu se një ish-polic, i cili i kishte paralajmëruar kolegët të mos i rrihnin dhe të mos qëllonin protestuesit, kishte marrë një kërcënim anonim: “Plumbi i parë është për ty”.
Burra të veshur me të zeza në Parkun e Pionierëve
Sipas The Times, ndërsa qytetarët po votonin në numër rekord të dielën, burra të veshur me të zeza po lëviznin drejt Parkut të Pionierëve në Beograd, ku prej muajsh ndodhej një kamp me tenda i ngritur nga mbështetësit e Vuçiqit.
“Ata i dërgonin në grupe të vogla, nga 20 deri në 30 persona”, tha Vuleviq.
Pozicionet i zunë edhe pjesëtarët e xhandarmërisë, disa rrugë u mbyllën për qarkullim, ndërsa ndriçimi publik u fik.
Rade Gjurçiq, jurist i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, beson se autoritetet kishin përgatitur një skenar për kundërshtimin e rezultateve zgjedhore.
“Të dielën në mëngjes, Vuçiqi ndihej i paprekshëm. Dyshoj se kishin planifikuar të thirreshin në parregullsitë gjatë votimit dhe të kërkonin përsëritjen e zgjedhjeve, gjë që do të shkaktonte protesta”, tha Gjurçiq.
Sipas tij, pushteti më pas do të nxiste dhunën dhe do ta përdorte atë si arsyetim për anulimin e zgjedhjeve.
Sipas raportimit të The Times, në orën 21:30, një orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve, Vuçiqi hoqi dorë nga kundërshtimi i rezultateve, ndërsa grupet e burrave të mbledhur në qendër të Beogradit u shpërndanë.
Në Beograd u përhapën edhe thashetheme të pakonfirmuara se kryeministri hungarez, Viktor Orban, e kishte bindur Vuçiqin të hiqte dorë nga ky veprim. Orbani vetë kishte humbur pushtetin në prill, pas 16 vjetësh në krye të qeverisë.
Vuleviqi beson se Vuçiqi ishte nën presion të madh për ta pranuar humbjen, por nuk mendon se atë e bindën zyrtarët e policisë, pasi, sipas tij, komandantët e njësive të angazhuara në Beograd ishin përzgjedhur personalisht nga Vuçiqi.
“Besoj se Vuçiqi mori telefonata nga qeveritë evropiane. Ishin biseda në nivelin më të lartë”, tha Vuleviqi.
Zyra e Vuçiqit: Policia u dislokua për shkak të kërcënimeve nga protestuesit
Zëdhënësja e Vuçiqit i tha The Times se prania e shtuar e policisë në Beograd ishte përgjigje ndaj kërcënimeve për dhunë nga protestuesit dhe jo pjesë e ndonjë plani për ta mbajtur pushtetin me forcë.
Grupi politik i Gozit kishte paralajmëruar të dielën, në orën 18:43, se partia e Vuçiqit mund t’i mobilizonte mbështetësit e saj për të shkaktuar përplasje rreth orës 21:00, kur priteshin projeksionet e para të rezultateve.
Gozi nuk e përjashton mundësinë që zyrtarët evropianë të kenë ndërhyrë përmes telefonatave për të parandaluar dhunën.
“Nuk mund ta përjashtoj mundësinë që të ketë pasur telefonata, por, në çdo rast, numri i votave kundër tij ishte thjesht tepër i madh. Vuçiqi ishte krejtësisht i befasuar”, tha Gozi. /Telegrafi/