Zemërim pas vrasjes së Arlinda Zekajt – sot protestohet në Prishtinë, kërkohen dorëheqje dhe shkarkime

Zemërim pas vrasjes së Arlinda Zekajt – sot protestohet në Prishtinë, kërkohen dorëheqje dhe shkarkime

Written by

in

Zemërim pas vrasjes së Arlinda Zekajt – sot protestohet në Prishtinë, kërkohen dorëheqje dhe shkarkime

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka nxitur reagime të ashpra ndaj institucioneve të Kosovës, ndërsa për sot është paralajmëruar një protestë në Prishtinë, ku pritet të kërkohet përgjegjësi për mënyrën se si janë trajtuar paralajmërimet e viktimës për rrezikun që i kanosej.

Protesta, e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist, është paralajmëruar të nisë në orën 16:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, raporton Gazeta Sinjali.

Nga ky shesh është paralajmëruar marshim drejt Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial, Këshillit Gjyqësor, Policisë dhe Qeverisë së Kosovës.

Mesazhi kryesor i protestës është: “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Organizatorët kanë paralajmëruar edhe një ultimatum 24-orësh për institucionet përgjegjëse.

Kërkohen dorëheqje në Qeveri dhe shkarkime në prokurori

Në rrjetet sociale, pas vrasjes së 49-vjeçares, janë shtuar kërkesat për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kritikat ndaj Gërvallës janë intensifikuar veçanërisht pas deklaratës së saj se viktima nuk i ishte drejtuar Qeverisë për mbrojtje.

Krahas kërkesave për dorëheqje në Qeveri, qytetarë të shumtë kanë kërkuar edhe përgjegjësi brenda sistemit prokurorial.

Në mesin e zyrtarëve ndaj të cilëve janë drejtuar kritika përmenden prokurorja Suada Hamza dhe kryeprokurorja e Pejës, Lumturije Vuçetaj.

Kërkesat për shkarkimin e tyre lidhen me pretendimet se institucionet nuk kishin reaguar në mënyrë të duhur ndaj paralajmërimeve për rrezikun që i kanosej Arlindës.

Megjithatë, përgjegjësia eventuale individuale e zyrtarëve mbetet çështje që kërkon verifikim dhe vlerësim nga organet kompetente.

Paralajmërimi tronditës i Arlindës, tri ditë para vrasjes

Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës.

Për vrasjen e saj dyshohet kunati, Albert Sylaj, i cili u arrestua më 27 tetor në Deçan, pas kërkimeve policore.

Rasti ka shkaktuar zemërim të madh, veçanërisht pas publikimit të paralajmërimeve që viktima kishte bërë para se të vritej.

Më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda u ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.

“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, ishte paralajmërimi i saj.

Këto fjalë janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale, duke nxitur pyetje për veprimet që institucionet ndërmorën pas kërkesave të saj për mbrojtje.

“Arlinda nuk e kishte gabuar adresën, shteti e braktisi”

Një nga mesazhet që ka dominuar reagimet qytetare pas vrasjes është:

“Arlinda nuk e kishte gabuar adresën. SHTETI E BRAKTISI.”

Ky mesazh pasqyron zemërimin e qytetarëve që kërkojnë përgjigje se përse një grua që kishte paralajmëruar rrezikun për jetën e saj nuk arriti të mbrohej.

Organizatorët e protestës kanë bërë të ditur se politikanët nuk janë të mirëpritur në tubim, ndërsa janë paralajmëruar protesta edhe gjatë ditëve në vijim.

Protesta e sotme pritet të përqendrohet te kërkesa për drejtësi për Arlindën, llogaridhënie institucionale dhe masa konkrete për mbrojtjen e grave nga dhuna.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali