
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka paralajmëruar ndryshimin e mënyrës së mbledhjes së taksës së qarkullimit, në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2027.
Sipas Ramës, taksa do të hiqet nga çmimi i naftës dhe do të zhvendoset te automjetet, çka, sipas tij, do të sjellë ulje automatike prej 32 lekësh për litër, apo rreth 35 centësh.
“Do të heqim taksën e qarkullimit nga çmimi i naftës dhe do ta ulim automatikisht 32 lekë në pompë. Ndërkohë që taksën do ta vendosim te makina dhe do ta mbledhim nëpërmjet transportit rrugor. Do të vendosim një taksë qarkullimi, siç e ka Europa, për makinat e huaja që hyjnë në Shqipëri”, ka deklaruar Rama.
Kryeministri shqiptar ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 10 miliardë eurosh, i cili, sipas mediave shqiptare, është më i larti i hartuar deri më tani.
Në kuadër të këtij projektbuxheti, Rama ka bërë të ditur se qeveria synon uljen e normës së TVSH-së për 54 produkte ushqimore bazë, nga 20 në 6 për qind.
Po ashtu, janë paraparë rritje të bonuseve për disa kategori pensionistësh, si dhe investime në sektorët e mbrojtjes, arsimit, shëndetësisë dhe bujqësisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali