Hagen Schubert flet për mundësitë dhe trajnimet që DW Akademie ofron për mediat në Ballkan

Hagen Schubert flet për mundësitë dhe trajnimet që DW Akademie ofron për mediat në Ballkan

Written by

in

Përmirësimi i cilësisë së gazetarisë, zhvillimi i modeleve të qëndrueshme të biznesit dhe krijimi i formateve që e afrojnë informacionin me publikun janë ndër synimet e mbështetjes së DW Akademie për mediat në Ballkanin Perëndimor. Kështu ka deklaruar Hagen Shubert, drejtor i programit për Ballkanin Perëndimor/Evropën në DW Akademie, duke folur për Telegrafin në kuadër të Forumit të Zërave Publikë në Budva.

Shubert ka shpjeguar se DW Akademie është partnere e GIZ-it në projektin Sustain Media, përmes të cilit ofron ekspertizë teknike, trajnime për gazetarët dhe konsulencë për zhvillimin e modeleve të biznesit për mediat e pavarura, të vogla dhe të mesme, në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Roli ynë është të ofrojmë ekspertizë teknike, trajnime për gazetarët dhe konsulencë për zhvillimin e modeleve të biznesit për mediat e pavarura, jo vetëm të vogla, por edhe të mesme”, ka thënë ai.

Sipas Shubertit, kjo mbështetje synon t’u krijojë mediave mundësi për të përmirësuar gazetarinë, për ta bërë përmbajtjen më të qasshme dhe për të ndërtuar marrëdhënie më të afërta me audiencën.

Ai ka veçuar krijimin e formateve të reja, angazhimin e publikut në rrjetet sociale dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, krahas forcimit të gazetarisë në radio, televizion dhe media online.

“Synojmë ta përmirësojmë gazetarinë, ta mbështesim në fakte, në parime të mira gazetareske dhe në aftësi të mirëfillta profesionale”, është shprehur Shubert.

Në aspektin praktik, DW Akademie zhvillon trajnime për gazetarinë me telefon mobil, gazetarinë e të dhënave dhe gazetarinë shpjeguese. Kjo e fundit, sipas tij, është veçanërisht e rëndësishme për trajtimin e proceseve komplekse politike, si anëtarësimi në Bashkimin Evropian.

Shubert ka theksuar se gazetarët duhet t’i zbërthejnë këto procese në mënyrë që qytetarët të kuptojnë lidhjen e tyre me jetën e përditshme.

“Çfarë lidhjeje ka ky proces politik me mua? Si ndikon në jetën time? Çfarë mundësish krijon për mua?”, janë pyetjet të cilave, sipas tij, gazetaria shpjeguese duhet t’u japë përgjigje.

– YouTube youtu.be

Duke folur për praninë në rajon, ai ka thënë se DW Akademie punon prej vitesh në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Në kuadër të projektit Sustain Media, kjo punë zhvillohet me mbështetjen e Bashkimit Evropian, Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe GIZ-it.

Shubert ka bërë të ditur se DW Akademie angazhohet edhe në një projekt tjetër me gazetarë të rinj dhe me ata që janë në fillimet e karrierës. Synimi është krijimi i formateve mediatike që u drejtohen të rinjve, i informojnë dhe i nxisin të marrin pjesë në debatin shoqëror.

“Punojmë me gazetarë të rinj për të krijuar formate mediatike që u flasin të rinjve, i informojnë dhe i angazhojnë, në mënyrë që edhe ata të marrin pjesë në debatin shoqëror dhe të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet”, ka deklaruar ai.

“Shpresojmë ta vazhdojmë praninë dhe punën tonë këtu edhe për shumë kohë”, ka përfunduar Shubert. /Telegrafi/