LEX | 20 të akuzuar për krime lufte ndaj civilëve në Kosovë, Gjykata i thërret të dorëzohen – caktohet seanca për gjykimin në mungesë

LEX | 20 të akuzuar për krime lufte ndaj civilëve në Kosovë, Gjykata i thërret të dorëzohen – caktohet seanca për gjykimin në mungesë

Written by

in

LEX | 20 të akuzuar për krime lufte ndaj civilëve në Kosovë, Gjykata i thërret të dorëzohen – caktohet seanca për gjykimin në mungesë

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar seancën e shqyrtimit fillestar ndaj 20 personave të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Sipas propozimit të Prokurorisë Speciale, procesi gjyqësor pritet të zhvillohet në mungesë të të akuzuarve, pasi ata kanë qenë të paarritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Gazeta Sinjali raporton se Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, përmes një njoftimi të publikuar më 28 tetor 2026, ka bërë të ditur se seanca e shqyrtimit fillestar është caktuar për 21 dhjetor 2026, në orën 09:30.

Aktakuza është ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 6 gusht 2026, ndërsa të pandehurit akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, sipas nenit 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.

Në mesin e 20 të akuzuarve janë Milovan Kovačević, Radomir Čolić, Miloš Đošan, Predrag Ristić, Srđan Kristić, Ljubiša Obradović, Živko Sarić, Spaso Sarić, Lazar Drašković, Zvonko Rištić, Darko Gligorijević, Čedomir Božović, Vladimir Božović, Robert Dobruna, Radomir Raković, Ljubiša Raković, Miloš Šćepanović, Milan Radoičić, Svetislav Gligorijević dhe Tomica Avramović.

Prokuroria Speciale ka propozuar që gjykimi të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, për shkak se të njëjtit nuk kanë qenë të arritshëm deri në momentin e ngritjes së aktakuzës.

Përmes komunikatës publike, Gjykata u ka bërë thirrje të gjithë të akuzuarve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes së Republikës së Kosovës.

Njëkohësisht, institucioni ka kërkuar nga qytetarët që posedojnë informacione për vendndodhjen e të akuzuarve, t’i përcjellin ato te Policia e Kosovës ose organet e tjera kompetente.

Seanca do të mbahet në Pallatin e Drejtësisë në Hajvali, në objektin D, kati i parë, gjykatorja numër 27, ndërsa trupin gjykues do ta kryesojë gjyqtari Leon Përlaska.

Gjykata ka paralajmëruar se do të vazhdojë ta informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejshme lidhur me këtë çështje penale.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali