
Një detaj tronditës ka dalë në dritë nga raporti i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) lidhur me rastin e Arlinda Zekaj-Sylajt, e cila u vra të dielën në mbrëmje, më 25 tetor 2026, në Vitomiricë të Pejës.
Sipas komunikatës zyrtare të KGJK-së, Gjykata Themelore në Pejë ka pranuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Pejë kundër bashkëshortit të viktimës, Jeton Sylaj, vetëm të hënën, më 26 tetor 2026, në orën 08:56.
Pra, Arlinda u vra të dielën në mbrëmje, ndërsa aktakuza ndaj bashkëshortit të saj mbërriti në gjykatë mëngjesin e ditës pasuese.
Kjo kronologji ngre pyetje serioze për veprimet e Prokurorisë Themelore në Pejë dhe për kohën kur ishte vendosur të ndërmerreshin veprime penale ndaj bashkëshortit të viktimës.
A ishte përgatitur aktakuza përpara vrasjes së Arlindës, apo u përpilua dhe u dorëzua vetëm pasi ajo humbi jetën?
Pse aktakuza nuk kishte mbërritur në gjykatë përpara se Arlinda të vritej? A kishte pasur vonesa në trajtimin e rastit dhe kush mban përgjegjësi për to?
Këto janë disa nga pyetjet që kërkojnë përgjigje nga Prokuroria Themelore në Pejë.
KGJK ka konfirmuar se aktakuza me numër PP/II Nr.1340/2026 është pranuar më 26 tetor, në orën 08:56, dhe është regjistruar menjëherë në sistemin gjyqësor.
Ndërkohë, nga inspektimi ka rezultuar se Arlinda kishte urdhër mbrojtës që nga 7 shtatori 2026 dhe se më 17 shtator ishte ankuar te kryetari i Gjykatës Themelore në Pejë, duke pretenduar se gjyqtari i çështjes kishte vendosur në kundërshtim me ligjin dhe jashtë afateve ligjore.
Rasti ngre një pyetje thelbësore: A vepruan institucionet me kohë për ta mbrojtur Arlindën, apo masat e ndërmarra rezultuan të pamjaftueshme për të parandaluar tragjedinë?
Përgjigjja kërkon sqarimin e plotë të kronologjisë së veprimeve të Prokurorisë, Gjykatës dhe Policisë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
/GazetaSinjali/
Burimi: Sinjali