Revolta për Arlinda Zekajn nuk ndalet, protesta vazhdon nesër në orën 16:00

Revolta për Arlinda Zekajn nuk ndalet, protesta vazhdon nesër në orën 16:00

Written by

in

Ka përfunduar protesta e mbajtur sot në Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt, por protestuesit kanë paralajmëruar se kërkesat për drejtësi dhe përgjegjësi institucionale do të vazhdojnë edhe nesër.

Dhjetëra protestues nga mbarë Kosova marshuan në kryeqytet, duke nisur protestën para Ministrisë së Drejtësisë. Më pas, ata vazhduan drejt Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe objektit të Policisë së Kosovës, për ta përmbyllur marshimin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.

Gjatë protestës, qytetarët shprehën pakënaqësinë dhe revoltën e tyre ndaj institucioneve përmes parullave dhe thirrjeve si “Shteti i ka duart me gjak”, “Rahat s’kena me iu lon” dhe “Jepni dorëheqje”.

Gjatë marshimit, para objekteve institucionale u hodhën mjete piroteknike, ndërsa në dyert e Qeverisë së Kosovës u shkrua fjalia e marrë nga letra e Arlinda Zekajt: “Tani po kuptoj pse ka kaq shumë vrasje”.

Në dyert e Qeverisë u vizatua gjithashtu një sëpatë me ngjyrë të kuqe, në referencë të mënyrës së vrasjes së Zekajt.

Protesta u mbajt me kërkesën për drejtësi për Arlinda Zekajn dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse, ndërsa protestuesit paralajmëruan se reagimet dhe kërkesat e tyre do të vazhdojnë edhe ditën e nesërme.

Arlinda Zekaj është privuar nga jeta në Vitomiricë të Pejës, pak minuta pasi kthehet në shtëpinë e përbashkët, e shoqëruar nga Policia e Kosovës.

Sipas Prokurorisë, ajo dyshohet se është vrarë me një mjet të fortë nga kunati i saj, i cili në kohën e raportimit ishte në arrati.

Dorasi i dyshuar u arrestua mbrëmjen e 27 tetorit në Deçan.

Vrasja ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar Arlindës kthimin në shtëpi, tri ditë pas ankesës së saj për dështimet institucionale dhe dy ditë pas paralajmërimit të një zyrtari policor për nevojën e masave shtesë të sigurisë./Telegrafi/