Barcelona po planifikon të bëjë një lëvizje në afatin kalimtar të janarit për mbrojtësin e Paris Saint-Germainit, Willian Pacho, pasi trajneri Hansi Flick synon ta përforcojë repartin defensiv të skuadrës.
Sipas RugeTV, gjiganti katalunas synon të paraqesë një ofertë për reprezentuesin e Ekuadorit në ditët e para të afatit kalimtar të dimrit.
Pacho shihet nga drejtuesit e Barcelonës si partneri ideal në qendër të mbrojtjes për talentin Pau Cubarsi. Paraqitja e tij kundër katalunasve në Ligën e Kampionëve thuhet se ka ndikuar në rritjen e interesimit të klubit për shërbimet e tij.
Presidenti Joan Laporta dhe drejtori sportiv Deco raportohet se po planifikojnë t’ia prezantojnë 24-vjeçarit projektin e Barcelonës, me shpresën për ta bindur që të transferohet në Kataloni.
Megjithatë, realizimi i këtij transferimi pritet të jetë i vështirë. PSG-ja njoftoi në shtator se Pacho kishte vazhduar kontratën deri në qershor të vitit 2031, duke e lidhur mbrojtësin me klubin francez për një periudhë afatgjatë.
Pacho iu bashkua PSG-së në vitin 2024 nga Eintracht Frankfurti dhe që nga atëherë është shndërruar në një nga lojtarët e rëndësishëm të repartit defensiv të kampionëve francezë./Telegrafi/